Monedha e re përkujtimore prej ari, e lëshuar nga Swissmint për vitin 2026, ka shkaktuar interesim të jashtëzakonshëm, duke u shitur e gjithë brenda një kohe të shkurtër. Tashmë, ajo po ofrohet në platformat e rishitjes me çmime disa herë më të larta se vlera fillestare.

Bëhet fjalë për monedhën prej 25 frangash, tirazhi i së cilës ishte i kufizuar në vetëm 5 mijë kopje. Ajo u hodh në shitje të enjten me çmim prej 715 frangash, por kërkesa e madhe bëri që të gjitha ekzemplarët të shiteshin brenda një kohe të shkurtër, shkruan 20 minuten.


Interesimi ishte aq i madh, sa dyqani online i Swissmint u përball me fluks të jashtëzakonshëm blerësish. Sipas raportimit të “Tages-Anzeiger”, rreth orës 8 të mëngjesit, klientët prisnin në radhë virtuale për më shumë se një orë. Disa prej tyre vazhdonin të prisnin, kur monedha tashmë ishte shitur.

Por kërkesa nuk ka përfunduar me shitjen zyrtare. Monedha ka nisur të tregtohet në platformat e rishitjes, ku çmimet kanë kapërcyer dukshëm vlerën fillestare prej 715 frangash. Disa oferta arrijnë mbi 1 mijë franga, ndërsa një ekzemplar është shitur për më shumë se 1200 franga. Një tregtar ka vendosur çmimin prej 3000 frangash, megjithëse deri në mesditën e së enjtes nuk kishte marrë asnjë ofertë për të, transmeton Telegrafi.

Monedha është prodhuar në cilësinë më të lartë, “proof”, nga ari me pastërti 900. Ajo peshon 5.64 gramë dhe ka diametër prej 20 milimetrash.


Në pjesën e përparme paraqitet kryqi zviceran, i përbërë nga pesë katrorë të barabartë, i vendosur mbi degë të lulëzuara të trëndafilit alpin. Dizajni bazohet në monedhën historike të artë prej 20 frangash të vitit 1871.

E vendosur në një kuti dhuratë, monedha tashmë është e paarritshme në shitjen zyrtare. Swissmint ka konfirmuar se të gjitha 5 mijë kopjet janë shitur, duke falënderuar blerësit për interesimin dhe entuziazmin e madh./Telegrafi/