Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi u ka drejtuar sot nje apel mediave për mbrojtjen e fëmijëve viktima. Në nje reagim në mediat sociale ajo shkruan:
Kur një fëmijë është viktimë e një vepre penale, pasojat e publikimit mund të vazhdojnë edhe pasi lajmi të jetë larguar nga vëmendja e publikut. Një detaj që në redaksi duket i parëndësishëm mund të mjaftojë që fëmija viktimë të identifikohet në shkollë, në lagje apo në rrethin e tij shoqëror.
Në një moment kaq të vështirë, fëmija viktimë dhe familjarët e tij kanë nevojë për privatësi dhe qetësi.
Autoriteti i Mediave Audiovizive u kërkon televizioneve dhe radiove të heqin menjëherë çdo material që mundëson identifikimin e fëmijës viktimë, zbulon të dhëna të ndjeshme për të apo familjarët e tij, ose cenon privatësinë dhe dinjitetin e tyre.
Kërkesa përfshin edhe fragmentet e publikuara në faqet dhe llogaritë e televizioneve në rrjetet sociale. AMA kërkon që këto materiale të mos ritransmetohen, ripublikohen apo rishpërndahen.
Edhe kur emri dhe fytyra nuk bëhen publike, zëri, pamjet e banesës, emri i shkollës apo të dhënat për familjen mund ta bëjnë fëmijën viktimë të identifikueshëm.
Redaksitë duhet ta vlerësojnë këtë rrezik përpara publikimit dhe të shmangin çdo gjuhë që fajëson apo stigmatizon fëmijën viktimë ose familjarët e tij.
U bëj thirrje si profesioniste e medias edhe portaleve, medias së shkruar dhe përdoruesve të rrjeteve sociale që të mos shpërndajnë materiale të tilla. Çdo rishpërndarje mund ta ekspozojë sërish fëmijën viktimë dhe t’ia vështirësojë kthimin në jetën e përditshme.
Pas këtij paralajmërimi publik, AMA do të monitorojë televizionet dhe radiot për respektimin e detyrimeve në mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijës viktimë. Për çdo shkelje të konstatuar nga subjektet audiovizive, AMA do të zbatojë masat administrative të parashikuara nga ligji, në përputhje me kompetencat dhe procedurat përkatëse.
