Nga Elton Qyno - Syri.net
Policia ka shpallur në kërkim Vinçesk Pirolin, në kuadër të hetimeve për vrasjen e ish-efektivit të policisë, Frrok Lleshi.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi Piroli u lirua nga qelia me vendim të Gjykatës së Apelit, e cila i ndryshoi masën e sigurisë nga arrest në burg në arrest shtëpie.
Piroli ishte arrestuar më 11 tetor, së bashku me Kristian Ymerin dhe Elden Tarjan, në kuadër të operacionit policor “Detajet”, pasi dyshohej se po përgatitej një atentat në zonën e Lezhës.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi tri armë zjarri, municion luftarak dhe një motomjet të vjedhur në Suedi.
Më 19 nëntor, Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë për Pirolin, duke e kaluar nga arresti në burg në arrest shtëpie.
Ai kishte qëndruar 38 ditë në paraburgim.
Frrok Lleshi, 65 vjeç, u vra më 4 gusht 2025 në fshatin Paçram të Shkodrës.
Ish-efektivi u qëllua për vdekje me armë zjarri, ndërsa një nga pistat e hetimit ishte ajo e hakmarrjes së mundshme.
Frrok Lleshaj është i treti që vritet pas djalit dhe vëllait të tij në fillim të viteve ’90, ndërsa të vrarë janë edhe kushëriri i tij Dodë Lleshaj, me të cilin nisi konflikti, si dhe një shtetas tjetër nga Puka.
Ngjarja e parë ndodhi në vitin 1991, kur djali i 65-vjeçarit u vra në Greqi.
Asokohe u tha se i riu ishte vrarë nga policia greke në rrethana të paqarta, por familja e Frrok Lleshajt dyshonte se pas ngjarjes fshiheshin kushërinjtë e tij.
Disa vite më vonë, dyshohet se Frrok Lleshaj mori gjakun e djalit të tij duke vrarë kushëririn Dodë Lleshaj.
Megjithatë, ai nuk e pranoi asnjëherë autorësinë e kësaj ngjarjeje.
Ndërkohë, një tjetër konflikt lindi me një familje nga Puka. Frrok Lleshaj qëlloi për vdekje një person tjetër, për të cilin e pranoi autorësinë në gjykatë dhe u dënua me 25 vite burg.
Nga këto dy hasmëri të vjetra dhe ende të pambyllura, mbetet i vrarë edhe vëllai i Frrok Lleshajt.
Ai kishte dalë nga burgu në vitin 2023.
Pas daljes nga burgu, ai jetonte në fshatin Paçram, duke u marrë me blegtori. Vrasja ndodhi pranë banesës së tij, ndërsa ai po ecte në rrugët e fshatit.
Trupi i tij u gjet nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë policinë.
© SYRI.net