Surpriza shqiptare e Juventusit, Durmishi thirret nga Spalletti për ndeshjen e Europa League mbrëmjen e sotme Për më shumë se një dekadë, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë qenë protagonistët e rivalitetit më të madh individual në historinë e futbollit.
Së bashku, dy yjet kanë fituar plot 13 trofe të Topit të Artë. Por përveç përballjeve në fushën e lojës, ata kanë pasur edhe një rol tjetër në këtë garë prestigjioze, duke qenë pjesë e jurisë që votonte për fituesit e Topit të Artë dhe çmimit për talentin më të mirë të ri.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, sipas sistemit klasik të pikëzimit (5 pikë për vendin e parë, 3 për të dytin dhe 1 për të tretin), asnjëri prej tyre nuk e përfshiu ndonjëherë tjetrin në listën e votimeve. Messi u jepte zakonisht përparësi shokëve të tij te Barcelona dhe kombëtarja e Argjentinës, ndërsa Cristiano Ronaldo tregonte besnikëri të veçantë ndaj futbollistëve me të cilët ndante dhomën e zhveshjes te Real Madridi.
Megjithatë, një krahasim i votave të tyre nga viti 2010 deri në vitin 2026 zbulon një rastësi të jashtëzakonshme: vetëm dy futbollistë në historinë e këtyre çmimeve kanë marrë vota nga të dy legjendat. Bëhet fjalë për Xavi Hernandez dhe Nuno Mendes.
Xavi Hernandez, zgjedhja e përbashkët në Topin e Artë
Përputhja e parë mes dy yjeve erdhi gjatë votimeve për çmimin kryesor, ku në qendër të vëmendjes ishte mesfushori spanjoll Xavi Hernandez. Ai ishte i vetmi futbollist që arriti të bashkonte zgjedhjet e dy rivalëve të mëdhenj, pikërisht në kulmin e përballjeve mes Barcelonës dhe Real Madridit. Cristiano Ronaldo e surprizoi botën në vitin 2010, kur, sapo ishte transferuar te Real Madridi, i dha pikët maksimale dhe vendin e parë Xavit, mesfushorit të Barcelonës, i cili pak muaj më parë kishte fituar Kupën e Botës me Spanjën në Afrikën e Jugut.
Nga ana tjetër, Lionel Messi e mbështeti shokun e tij të skuadrës për tri vite radhazi. Argjentinasi e renditi Xavin në vendin e parë në vitin 2011, ndërsa në vendin e dytë në edicionet 2012 dhe 2013.
Nuno Mendes, përzgjedhja e njëjtë në të njëjtin vit
Përputhja e dytë mes tyre erdhi më shumë se një dekadë më vonë, këtë herë në votimet për çmimin që vlerëson futbollistin më të mirë të ri, nën moshën 21-vjeçare. Edhe në këtë rast ekziston një detaj interesant: të dy zgjodhën të njëjtin futbollist, në të njëjtin vit dhe në të njëjtin pozicion.
Cristiano Ronaldo, në paraqitjen e tij të vetme si anëtar i jurisë për këtë çmim, në vitin 2021, e renditi bashkëkombësin e tij Nuno Mendes në vendin e dytë, pas Mason Greenwood. Po në atë edicion, kur të dy ndanin të njëjtën dhomë zhveshjeje te Paris Saint-Germain, edhe Messi e vendosi mbrojtësin portugez në vendin e dytë. Argjentinasi përsëriti të njëjtën zgjedhje edhe në vitin 2022.
Kështu, mes dhjetëra emrave që kanë përfshirë në listat e tyre gjatë viteve si anëtarë të jurisë, Xavi Hernandez dhe Nuno Mendes mbeten dy futbollistët e vetëm që kanë marrë vota si nga Lionel Messi, ashtu edhe nga Cristiano Ronaldo.
Top Channel