Ditën e sotme, 17 këshilltarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kanë dërguar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese ku kanë kërkuar shfuqizimin e ligjit për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i miratuar pak kohë më parë në Kuvend.
Këshilltarët Elvira Kaloshi, Eni Karagjozi, Donalda Baku, Jonida Hakani, Klediana Rrumbullaku, Olivia Hoxha, Eglantina Bakiu, Lorena Ruçi, Lindita Varesi, Elona Sina, Emli Beqiraj, Ornela Ismalaja, Aida Mergjyli, Amarilda Xhyheri, Jetmira Rragami, Anora Topi dhe Irini Shira e kanë cilësuar ligjin si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Kërkesa e tyre vjen pasi një javë më parë, gjashtë ish-anëtarë të KPA-së, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo, kërkuan në Kushtetuese shfuqizimin e pjesshëm të këtij ligji.
Thelbi i kërkesës së gjashtë ish-anëtarëve të KPA-së ishte se donin të ishin pjesë e rritjes që miratoi Qeveria në shtator të këtij viti për të gjithë gjyqtarët e tjerë, pasi ata ishin përjashtuar nga kjo skemë.
Ata kundërshtonin dispozitat ligjore që i përjashtojnë ish-gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga efektet financiare të ndryshimit të pagës referuese bazë.
Sipas kërkesës së tyre, gjatë ushtrimit të mandatit, anëtarët e Kolegjit gëzonin statusin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe për këtë arsye, pretendojnë se duhet të përfitojnë nga ndryshimet e pagave për periudhën kur kanë qenë në detyrë.
Ish-anëtarët e KPA-së kërkuan gjithashtu që efektet financiare të ndryshimeve të pagave të zbatohen në mënyrë prapavepruese, duke nisur nga data 1 prill 2023.
Ata kërkuan gjithashtu që ankimi i tyre të bashkohet me çështjen e nisur më 21 shtator 2026 nga shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat kanë kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese të njëjtin ligj. Për këtë çështje, Gjykata Kushtetuese ka caktuar seancën publike më 2 dhjetor 2026.
Ndërkohë sot, siç është përmendur edhe më sipër, në Kushtetuese kanë dërguar kërkesë për shfuqizimin e ligjit për pagat edhe 17 këshilltarë të KPA-së.





Komente
Komento