Në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, ku mori pjesë edhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar qeverinë Rama se e ka kthyer Shqipërinë në një narkoshtet.
Këlliçi renditi një sërë raportesh ndërkombëtare dhe deklaratash të zyrtarëve europianë e amerikanë për lidhjet e krimit të organizuar me politikën, pastrimin e parave, korrupsionin dhe problematikat në zgjedhje.
Ai theksoi se Shqipëria po përjeton kapjen e shtetit, ndërsa protestat e opozitës dhe qytetarëve vijojnë prej 180 ditësh kundër qeverisë.
Duke kundërshtuar deklaratat e Komisioneres se korrupsioni lidhet edhe me mentalitetin e shoqërisë shqiptare, Këlliçi u shpreh se qytetarët e refuzojnë korrupsionin Rama-Balluku dhe kërkojnë integrimin europian si një demokraci funksionale, jo si një fasadë europiane mbi një shtet të kontrolluar nga një parti.
Deklarata e plotë:
Zonja Komisionere,
Mirë se erdhët në Tiranë, në zemrën e Narkoshtetit të parë dhe të vetëm të Europës.
Fakt të cilin sot e përmendin të gjitha mediat më të mëdha botërore.
Fakt që e pohon kryeprokurori i antimafias italiane, Nikola Gratteri, kur thotë se Shqipëria narkoshtet nuk është fare ekzagjerim.
Fakt që e thotë Departamenti Amerikan i Shtetit, që e ka shpallur luftën kundër karteleve shqiptare të drogës prioritet absolut dypalësh.
E thotë eurodeputeti Michal Gahler, kur pa kullat boshe në Tiranë.
E thotë edhe SPAK-u, që pranon se krimi i organizuar ka akses të plotë në portet dhe doganat tona dhe që qeveritarët shqiptarë të të gjitha niveleve kanë lidhje të drejtpërdrejta me eksponentët e karteleve të drogës deri në Amerikën Latine.
E thotë edhe Moneyval-i, që e rendit Shqipërinë në vendet ku bëhet pastrim masiv i parave të pista.
E thotë edhe OKB-ja, që na rendit mes vendeve kryesore të tranzitit të heroinës dhe kokainës në Europë.
E thotë edhe raporti juaj se janë konfiskuar vetëm 1.8 milionë euro nga asetet e krimit dhe vetëm 100 mijë euro nga korrupsioni i nivelit të lartë.
E thotë edhe ODIHR-i, që shkruan se grupet kriminale kërcënuan zgjedhësit.
E tregon qartazi zhvlerësimi dramatik i euros me 35%, 7% vetëm brenda këtij viti, rekord ky botëror.
E dëshmon Eurostat-i, sipas të cilit prodhimi industrial në vend ka rënë me 15.3%, si dhe eksportet kanë rënë me 29%.
E dëshmon fakti se shqiptarët, dhe veçanërisht të rinjtë, po braktisin vendin tonë në shifra rekord, si kurrë më parë.
Injorimi i këtij realiteti dramatik vetëm inkurajon konsolidimin e mëtejshëm të këtij modeli në Ballkan dhe Europë.