“Nuk e tradhtova kurrë atdheun”, letra e fundit e ish-kreut të Policisë italiane: Pas pak minutash nuk do jem më, një i ‘dënuar me vdekje’ nuk mund të gënjejë

26/11/2026 16:44

Një nga figurat më të rëndësishme të aparatit të sigurisë italiane, Gianni De Gennaro, ish-kreu i Policisë së Shtetit dhe ish-drejtues i shërbimeve të inteligjencës, ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike, në një moment kur emri i tij ishte në qendër të një prej hetimeve më të ndjeshme të drejtësisë italiane: zbardhja e rrethanave të atentatit ndaj gjyqtarit antimafia Paolo Borsellino, i vrarë nga Cosa Nostra në vitin 1992.

De Gennaro, 78 vjeç, u gjet i vdekur në pronën e tij në Fonteblanda, në zonën e Orbetellos, në provincën e Grossetos, në Toskanë, mëngjesin e së shtunës, 21 nëntor 2026. Sipas raportimeve të mediave italiane, ai i dha fund jetës me armë zjarri. Trupi i tij u gjet i ulur në një kolltuk, në një ndërtesë ndihmëse pranë banesës. Në vendngjarje u gjet një pistoletë gjysmëautomatike, e mbajtur me leje, si dhe dy gëzhoja. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, dyshohet se ai kishte qëlluar një herë për provë përpara se të qëllonte veten.

Ditën para ngjarjes, De Gennaro kishte mbërritur në pronën e tij në Toskanë, ku u kishte komunikuar pjesëtarëve të eskortës se dëshironte të kalonte fundjavën vetëm. Ai kishte marrë me vete dokumente, letra dhe materiale të përgatitura në kuadër të mbrojtjes së tij ligjore.

Prokuroria e Grossetos ka hapur një hetim për rrethana të mundshme të nxitjes së vetëvrasjes, për momentin ndaj personave të paidentifikuar. Ndërkohë, dokumentet e gjetura në banesë janë bërë pjesë e verifikimeve të autoriteteve.

De Gennaro ishte në qendër të hetimit për atentatin ndaj Paolo Borsellino-s

Vdekja e De Gennaro-s ndodhi ndërsa ai ishte nën hetim nga Prokuroria e Kaltanissetës për dyshime mbi devijimin e hetimeve të atentatit të 19 korrikut 1992, në të cilin u vra gjyqtari Paolo Borsellino dhe pesë pjesëtarë të eskortës së tij.

Prokurorët kishin kërkuar vendosjen e tij në “Arrest shtëpie”, por kërkesa ishte rrëzuar nga gjyqtarja e hetimeve paraprake. Prokuroria kishte apeluar vendimin dhe seanca në Gjykatën e Rishikimit ishte parashikuar për 1 dhjetor. Sipas hipotezës së akuzës, ndaj ish-kreut të Policisë rëndonin dyshime për dy forma të mundshme të devijimit të hetimeve.

E para lidhej me përpjekje të dyshuara për të penguar bashkëpunëtorin e drejtësisë Salvatore Contorno që të dëshmonte para prokurorëve të Kaltanissetës. Sipas hetuesve, De Gennaro dyshohej se kishte vepruar përmes bashkëpunëtorëve të tij, Francesco Pacetto dhe Massimo Carnicelli, për ta bindur Contornon të mos bashkëpunonte me drejtësinë.

Filtri i dytë i hetimit lidhej me dyshimet për fshehjen dhe shkatërrimin e dokumenteve, të cilat sipas prokurorëve mund të kishin rëndësi për zbardhjen e atentatit dhe zhdukjen e agjendës personale të Borsellino-s.

Në këtë kuadër po shqyrtoheshin edhe marrëdhëniet e De Gennaro-s me Arnaldo La Barberën, ish-drejtuesin e skuadrës së lëvizshme të policisë në Palermo, i cili kishte luajtur një rol qendror në hetimet e para pas atentatit.

Hetuesit kishin analizuar gjithashtu biseda të përgjuara, ku De Gennaro fliste për shkatërrimin e dokumenteve dhe për ekzistencën e një hard disku me materiale të vjetra. De Gennaro i mohonte akuzat. Edhe pas vdekjes së tij, hetimi për personat e tjerë të përfshirë në çështje vazhdon.

Por kush ishte Paolo Borsellino, gjyqtari që u vra nga mafia?

Paolo Borsellino lindi në Palermo më 19 janar 1940 dhe u bë një nga figurat më të rëndësishme të luftës kundër mafias në Itali. Si magjistrat, ai punoi për vite me radhë për të goditur strukturat e Cosa Nostra-s, organizatës mafioze që kontrollonte një pjesë të madhe të aktivitetit kriminal në Siçili.

Ai ishte mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i gjyqtarit Giovanni Falcone. Së bashku me të dhe magjistratë të tjerë, ishte pjesë e grupit antimafia që zhvilloi hetimet e mëdha kundër mafias siçiliane.

Më 23 maj 1992, Giovanni Falcone u vra në atentatin e Capacit, së bashku me bashkëshorten e tij Francesca Morvillo dhe tre pjesëtarë të eskortës. Vetëm 57 ditë më vonë, më 19 korrik 1992, edhe Paolo Borsellino u vra në Palermo.

Një makinë e mbushur me eksploziv shpërtheu në rrugën Via D’Amelio, përpara banesës së nënës së tij, ku gjyqtari kishte shkuar për vizitë. Në atentat humbën jetën Borsellino dhe pesë pjesëtarët e eskortës: Agostino Catalano, Emanuela Loi, Vincenzo Li Muli, Walter Eddie Cosina dhe Claudio Traina.

Vrasja e tij u organizua nga Cosa Nostra, por rrethanat e plota të atentatit dhe përgjegjësitë e mundshme të personave jashtë organizatës mafioze mbetën për dekada objekt hetimesh.

Një nga misteret më të mëdha është zhdukja e të ashtuquajturës Agjenda e Kuqe, një bllok shënimesh personal i Borsellino-s, i cili u zhduk pas shpërthimit dhe nuk është gjetur ende.

Letra e fundit e De Gennaro, një ditë para se të ndërronte jetë:

Në një dokument prej tetë faqesh, të shkruar me dorë dhe të datuar më 20 nëntor 2026, De Gennaro ka lënë një dëshmi personale, ku mbron karrierën e tij në institucionet shtetërore, kundërshton akuzat ndaj tij dhe shpjegon arsyet përse kishte mbajtur në ruajtje një hard disk me dokumente të vjetra.

“Pas pak minutash nuk do të jem më këtu dhe, prandaj, e kuptoni mirë se një ‘i dënuar me vdekje’ nuk mund të gënjejë”, kështu nis letra e publikuar nga mediat italiane.

“Ky është testamenti im moral”, kishte shkruar De Gennaro në krye të dokumentit, shkruan “Corriere della Sera”.

Një pjesë e rëndësishme e letrës i kushtohet hard diskut, i cili ishte kërkuar nga hetuesit gjatë kontrolleve të urdhëruara nga Prokuroria e Kaltanissetës. De Gennaro shpjegon se pajisja përmbante dokumente dhe materiale të mbledhura gjatë rreth 40 viteve të karrierës së tij profesionale.

“Këtu ndodhet objekti i dëshirave të të gjithëve, hard disku që të gjithë po kërkojnë. Ai nuk përmban mistere dhe as sekrete, por vetëm dokumente që dëshmojnë rreth 40 vite të një pjese të jetës sime, të mbushur me vuajtje dhe hidhërime”, shkruante ai.

Ish-kreu i Policisë u kërkonte hetuesve ta shqyrtonin pajisjen me kujdes, por pa paragjykime. Ai shpjegonte se fillimisht kishte ruajtur dokumentet në dhjetëra dosje fizike, por për shkak të vështirësive të transportimit dhe sistemimit të tyre, kishte vendosur t’i kalonte në format dixhital.

Sipas tij, me ndihmën e sekretares kishte transferuar materialet në një kompjuter dhe më pas, me ndihmën e të birit, i kishte ruajtur në një pajisje të re elektronike. De Gennaro pretendonte se nuk kishte dashur që dokumentet të përfundonin në duart e personave që, sipas tij, nuk ishin në gjendje të vlerësonin përmbajtjen e tyre.

“Jam përpjekur vetëm të shmang që pajisja të merrej nga persona që nuk i konsideroja të aftë për të vlerësuar përmbajtjen e saj”, thuhej në letër.

Ai përmendte gjithashtu dokumente që mund të shërbenin për të rikujtuar ngjarje të së kaluarës profesionale ose për nevoja të mundshme të drejtësisë, duke iu referuar edhe rihapjes së hetimeve për vrasjen e shkrimtarit Pier Paolo Pasolini, të vrarë në vitin 1975.

Në pjesën tjetër të letrës, De Gennaro përqendrohet te mbrojtja e figurës së tij dhe e karrierës shumëvjeçare në shërbim të shtetit italian.

“Dua t’u them të gjithëve se nuk e kam tradhtuar kurrë betimin tim të besnikërisë ndaj Atdheut. I kam shërbyer vendit tim me ndershmëri dhe besnikëri”, shkruante ai.

Më tej, ish-zyrtari pranonte se gjatë karrierës mund të kishte bërë gabime, por këmbëngulte se ato kishin ardhur gjatë përmbushjes së detyrave të tij.

“Ka shumë të ngjarë të kem bërë gabime, por gjithmonë dhe vetëm për të përmbushur detyrimet e mia. Për gabimet e bëra mund të kërkoj vetëm falje, por nuk mund t’i fshij ato”, vijon letra.

De Gennaro u përgjigjej edhe kritikave se kishte qenë një njeri i pushtetit, i lidhur me postet dhe funksionet e rëndësishme shtetërore. Për këtë arsye, ai përmendte disa figura të rëndësishme të politikës italiane, të cilat, sipas tij, mund të dëshmonin se nuk kishte kërkuar vetë emërimet në detyrat që kishte mbajtur.

Në letër përmenden Enrico Letta, Giuseppe Conte, Romano Prodi dhe Giuliano Amato, si dhe Gianni Letta, ish-sekretar i Këshillit të Ministrave gjatë qeverive të Silvio Berlusconit.

De Gennaro pretendonte se kishte kundërshtuar fillimisht emërimin në krye të kompanisë Finmeccanica dhe se Enrico Letta kishte ndërhyrë për ta bindur, deri në pikën që, sipas tij, ishte kërkuar edhe ndërhyrja telefonike e Presidentit të Republikës.

Për periudhën e Giuseppe Contes, ai shkruante se kishte tentuar të shmangte detyrën e presidentit të Bankës Popolare di Bari, por më pas kishte pranuar. Ai përmendte gjithashtu detyrën në krye të Eurolink, për të cilën thoshte se ishte kontaktuar nga Gianni Letta.

Duke iu referuar vitit 2007, De Gennaro kujtonte largimin nga posti i kreut të Policisë gjatë qeverisë së Romano Prodit. Sipas tij, vendimin e kishte mësuar gjatë një përgjigjeje të kryeministrit në Parlament, të transmetuar drejtpërdrejt në televizion.

Ai pretendonte se pas largimit nuk kishte kërkuar asnjë post tjetër, përveç mundësisë për të ushtruar funksionin e prefektit në cilindo qytet të Italisë.

“E sfidoj këdo të thotë se kam kërkuar ndonjëherë diçka për veten time”, shkruante ai.

Në një tjetër pjesë të dokumentit, ish-kreu i Policisë thoshte se gjatë karrierës ishte përpjekur të ndihmonte njerëzit që kishin pasur nevojë për të. Ai shprehte keqardhje që, sipas tij, nuk kishte bërë të njëjtën gjë për familjen e tij. De Gennaro kërkonte gjithashtu falje ndaj personave që mund të ishin përfshirë pa dëshirën e tyre në problemet e tij me drejtësinë.

“Mund të kërkoj vetëm falje dhe të lutem për faljen e atyre personave që, pa dashur, i kam përfshirë në problemet me të cilat po përballen sot”, shkruante ai.

Letra lidhet drejtpërdrejt me hetimin e Prokurorisë së Kaltanissetës, ku De Gennaro ishte nën hetim për dyshimet për devijim të hetimeve, me rrethanën rënduese të favorizimit të mafies. Në letrën e tij, ish-zyrtari kundërshtonte akuzat dhe mbronte veprimtarinë e tij në institucionet shtetërore. Në përfundim, ai shprehte bindjen se e vërteta do të dilte në dritë.

“Shpresoj që mbi ortekun e gënjeshtrave që tani po më mbulojnë, në fund të mbizotërojë e vërteta”, ishte mesazhi i tij përmbyllës.

Dokumenti mbyllej me formulën zyrtare “Me besim”, e ndjekur nga firma e tij: Gianni De Gennaro. Ndërkohë, materialet e lëna prej tij, përfshirë letrat dhe pajisjet elektronike, janë vënë në dispozicion të hetuesve për verifikime të mëtejshme.

Top Channel