Qeveria e Kosovës ka ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me kompani serbe, pas bllokimit gati shtatëvjeçar të linjave ndërkufitare nga Serbia. Kryeministri Albin Kurti deklaroi se kundërmasat përfshijnë blerjen, shitjen, importin, eksportin dhe transitin e energjisë, pasi Beogradi nuk zbatoi kërkesën e Komunitetit të Energjisë për të zhbllokuar dy linjat 400-kilovatësh më 1 korrik. Ndërkohë, Bashkimi Europian u bëri thirrje të dyja palëve që të respektojnë rregullat dhe zotimet sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Një zëdhënës i Komisionit Europian tha për Gazetën Express se Serbia duhet të korrigjojë çështjet e alokimit të kapaciteteve në kufirin me Kosovën, duke rikujtuar se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është kusht për rrugën europiane të të dyja vendeve. Qeveria e Kosovës nuk ka bërë të ditur se cilat kompani serbe preken nga ky vendim, ndërsa të dhënat e Doganës tregojnë se importi i energjisë nga janari deri në tetor ka arritur vlerën e 205 milionë eurove.