Kredi për banesa me interes 0% dhe 3%, Ibrahimaj e Sejko nisin konsultimet me bankat, diskutohet heqja e parapagimit

Ekonomi | 1 minutë më parë

Qeveria po avancon me dy skema të reja të kreditimit të lehtësuar për blerjen e banesave, të cilat parashikohen të zbatohen gjatë vitit 2027.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilluan një takim konsultues me përfaqësues të bankave të nivelit të dytë për të përcaktuar kushtet dhe mekanizmat e zbatimit të këtyre programeve.

Pas takimit, Ibrahimaj theksoi se blerja e një banese duhet të jetë një mundësi e arritshme për familjet shqiptare dhe se qeveria synon të lehtësojë aksesin e qytetarëve në financim përmes instrumenteve të reja mbështetëse.

“Me përfaqësuesit e sektorit bankar nisëm konsultimet për zbatimin e dy skemave të kreditimit të lehtësuar për strehimin, të parashikuara për vitin 2027. Po punojmë për të konkretizuar këto instrumente financiare, duke lehtësuar aksesin e qytetarëve në financim për blerjen e banesës së tyre”, u shpreh ministrja.

Skema e parë parashikon kredi deri në 6 milionë lekë me interes 0%, i cili do të subvencionohet plotësisht nga qeveria. Për këtë program është planifikuar financimi i deri në 2 mijë kredive gjatë vitit të ardhshëm. Ndërkohë, po diskutohen edhe modalitetet e bashkëpunimit me bankat, përfshirë përcaktimin e një norme të përbashkët interesi, me synimin për të shmangur procedurat e konkurrimit dhe për të zgjeruar pjesëmarrjen e institucioneve bankare.

Skema e dytë synon të mbështesë qytetarët që kërkojnë financim më të madh për strehim. Ajo parashikon kredi deri në 20 milionë lekë, ose rreth 200 mijë euro, ku përfituesit do të paguajnë një normë interesi prej 3%, ndërsa diferenca me normën e tregut do të mbulohet nga qeveria.

Një nga çështjet kryesore të diskutuara gjatë takimit ishte mundësia e eliminimit të parapagimit, çka do t’u mundësonte qytetarëve të financojnë përmes kredisë të gjithë vlerën e banesës, pa qenë të detyruar të sigurojnë paraprakisht një pjesë të shumës. Për realizimin e kësaj nisme po shqyrtohen ndryshime në rregulloren e Bankës së Shqipërisë.

“Diskutuam gjithashtu mundësinë e eliminimit të detyrimit për parapagim, lehtësimin e kushteve të kolateralit dhe procedurave të kreditimit”, deklaroi Ibrahimaj.

Në tryezën e diskutimeve u shqyrtuan edhe masa të tjera që synojnë ta bëjnë më të lehtë procesin e financimit për qytetarët. Mes tyre është mundësia që banesat ende në ndërtim dhe të paregjistruara të mund të përdoren si kolateral për kredi, çka do të kërkonte ndryshime në legjislacionin që rregullon zhvillimin e territorit.

Po ashtu, është hedhur për diskutim edhe opsioni që Banka Shqiptare e Zhvillimit të ofrojë garanci për diferencën mes çmimit të shitjes së banesës dhe vlerës së njohur nga bankat gjatë procesit të kreditimit.

Kushtet përfundimtare, kriteret e përfitimit dhe procedurat e aplikimit për të dyja skemat pritet të përcaktohen pas përfundimit të konsultimeve me sektorin bankar. Programi synon të lehtësojë aksesin e familjeve shqiptare në tregun e banesave dhe të krijojë më shumë mundësi për strehim përmes kredive me kosto të reduktuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme