Qeveria parashikon të financojë deri në 2 mijë kredi për blerjen e banesave pa interes gjatë vitit 2027, ndërsa një skemë e dytë do t’u mundësojë qytetarëve të përfitojnë kredi deri në 200 mijë euro me interes 3%. Për të dyja programet po diskutohet edhe heqja e detyrimit për parapagim.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilluan një takim konsultues me përfaqësuesit e bankave të nivelit të dytë për të diskutuar kushtet e kreditimit dhe mënyrën e zbatimit të skemave.
Skema e parë parashikon kredi deri në 6 milionë lekë, me interes të subvencionuar plotësisht nga qeveria. Për këtë program është planifikuar një numër maksimal prej 2 mijë kredish.
Në konsultimet me bankat po diskutohet edhe përcaktimi i një norme të përbashkët interesi, me qëllim shmangien e procedurave të konkurrimit dhe përfshirjen e sa më shumë bankave në program.
Skema e dytë parashikon kredi deri në 200 mijë euro, ose rreth 20 milionë lekë, me interes 3% për qytetarët. Diferenca mes kësaj norme dhe interesit të përcaktuar nga bankat do të subvencionohet nga qeveria.
Një nga çështjet kryesore të konsultimeve është mundësia që qytetarët të financojnë përmes kredisë të gjithë çmimin e banesës, pa pasur nevojë të paguajnë paraprakisht një pjesë të vlerës. Për këtë qëllim po shqyrtohen edhe ndryshime në rregulloren e Bankës së Shqipërisë.
“Diskutuam gjithashtu mundësinë e eliminimit të detyrimit për parapagim, lehtësimin e kushteve të kolateralit dhe procedurave të kreditimit”, bëri të ditur Ibrahimaj.
Po shqyrtohet gjithashtu mundësia që banesat në ndërtim, të cilat ende nuk janë regjistruar, të përdoren si kolateral përmes ndryshimeve në legjislacionin e territorit.
Një tjetër propozim është që Banka Shqiptare e Zhvillimit të ofrojë garanci për diferencën mes çmimit të shitjes së banesës dhe vlerës që banka i njeh pronës gjatë procesit të kreditimit.
Kushtet përfundimtare të kreditimit dhe procedurat e aplikimit pritet të përcaktohen pas konsultimeve me bankat.