Një grup studentësh kanë njoftuar krijimin e një force të re politike me emrin “Të Bashkuar për Shqipërinë”. Nisma është bërë publike përmes një deklarate për shtyp, ku themeluesit e saj e prezantojnë si një bashkim të të rinjve, atdhetarëve dhe profesionistëve.
Në deklaratën e tyre, nismëtarët e lidhin krijimin e partisë së re me protestat që kanë vijuar prej 180 ditësh, duke pretenduar se ato kanë bashkuar mijëra të rinj, prindër dhe qytetarë në kërkim të ndryshimit politik.
“Ne, një grup studentësh, të bashkuar me të rinjtë, atdhetarët dhe profesionistët, deklarojmë sot me zë dhe figurë krijimin e partisë ‘Të Bashkuar për Shqipërinë’.
Për 180 ditë, mijëra të rinj, prindër dhe qytetarë kanë treguar që Shqipëria nuk është e lodhur. Ky zë u përket të gjithëve atyre që iu bashkuan protestave për Shqipërinë.
Partia do t’u ofrojë atyre një rrugë kushtetuese drejt shtetit të së drejtës. Duam të bashkojmë zërat e shqiptarëve për një Shqipëri të bashkuar”, thuhet në deklaratën e nismëtarëve.
Krijimi i kësaj force të re politike vjen pas muajsh protestash kundër qeverisë, ku studentët dhe qytetarë të tjerë kanë kërkuar ndryshime politike dhe largimin e kryeministrit Edi Rama. m.k





