Këtë të enjte Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për tetë të pandehurit në dosjen “Veliaj”, për pjesën që është shqyrtuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Sipas vendimit, Elman Abule është shpallur fajtor për pastrim parash më shumë se një herë, në bashkëpunim, dhe është dënuar me 7 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij është ulur në 4 vite e 8 muaj burg.
Fatmir Bektashi është shpallur i pafajshëm dhe ndaj tij është hequr masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”. Ina Goxhaj është shpallur fajtore për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Ajo është dënuar me 7 vite burgim, që me gjykim të shkurtuar bëhen 4 vite e 8 muaj. Gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe kalimin e saj në shërbim prove për 5 vite.
Klotilda Bushka është shpallur fajtore dhe është dënuar me 200 mijë lekë gjobë. Adela Kondakçiu është shpallur fajtore për pastrim parash dhe është dënuar me 7 vite burgim, të reduktuara në 4 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ajo është përjashtuar nga vuajtja e dënimit si bashkëpunëtore e drejtësisë.
Fatjon Baçi është shpallur fajtor dhe është dënuar me 5 vite burgim, të reduktuara në 3 vite e 4 muaj. Gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe kalimin e tij në shërbim prove për 4 vite. Flutura Xhani është shpallur e pafajshme, kurse Frosina Bollo është dënuar me 1 vit burgim, i reduktuar në 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Edhe për të është vendosur kalimi në shërbim prove.
Vendimi për kompanitë
Në kuadër të së njëjtës çështje, vendimi prek edhe tre subjekte juridike: shoqërinë “Rametal”, shoqërinë “Kontakt” dhe OJF-në “Frobokus”.
Çfarë kishte kërkuar SPAK?
Në pretencën e tij, SPAK kishte kërkuar dënime me burgim, gjoba dhe kalim në shërbim prove për të pandehurit, ndërsa për disa prej tyre kishte kërkuar edhe përjashtimin nga vuajtja e dënimit.
Për kompanitë, Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar:
Shoqëria “Rametal”: 18 milionë lekë gjobë.
Shoqëria “Kontakt”: 800 mijë lekë gjobë.
OJF “Frobokus”: 500 mijë lekë gjobë.
