“Natën që ndërroi jetë Shpati, më e përlotura ishte Afërdita”/ Producenti rrëfen lidhjen e këngëtarit me ish-të fejuarën
Producenti Avni Qahili ka ndarë disa kujtime për këngëtarin Shpat Kasapi, duke treguar për bashkëpunimet e tyre muzikore, jetën personale të artistit dhe vështirësitë me të cilat ai u përball gjatë karrierës.
Qahili tregoi se kishte shkruar shumë këngë për Shpatin, ndërsa kujtoi edhe një periudhë kur këngëtari vinte në studion e tij së bashku me ish-të fejuarën, këngëtaren Afërdita Dreshaj. Ai u ndal edhe te marrëdhënia e Shpatit me Afërditën, duke e përshkruar si një shkëndijë dashurie.
Producenti tha se, me kalimin e viteve, këngëtari ishte përpjekur ta mbante jetën private larg vëmendjes publike, deri në atë pikë sa bashkëshorten e tij e mbante të fshehur, për shkak të lajmeve të pavërteta që qarkullonin për të.
“Kam shkruar shumë këngë për Shpatin. Është një këngë shumë e mire. Atëherë ishte tek unë në studio me ish-të fejuarën, të cilës i bëra edhe këngë. Natën që më erdhi lajmi i trishtë, personi që më erdhi më i përlotur ishte Afërdita. Ishte një shkëndijë dashurie, por sikur Shpatin nuk e lanë të dashuronte. Kur u rrit, bashkëshorten e tij e mbante shumë të fshehur. Nuk e kanë lënë të qetë me lajme false”, rrëfeu Qahili.
Ai u shpreh se Shpat Kasapi kishte një formim të mirë arsimor dhe se, nëse nuk do të kishte zgjedhur muzikën, mund të ishte bërë një intelektual apo akademik. Sipas producentit, bota e shoëbiz-it e kishte ekspozuar këngëtarin ndaj një presioni të vazhdueshëm.
Qahili kritikoi gjithashtu mungesën e mekanizmave që mbrojnë artistët dhe të drejtat e tyre në Ballkan, duke theksuar se ata shpesh detyrohen të përballen vetë me gjithçka.
“Shpati është shkolluar, ka mbaruar universitetin. Nëse nuk do të ishte këngëtar, do të ishte një intelektual shumë i mirë, një akademik. Por ja që e kaploi showbiz-i. Tek ne në Ballkan nuk ka rregulla, nuk ka institucione që të mbrojnë të drejtat e tua. Çdo gjë duhet ta bësh vetë. Mua më vjen keq, ne nuk bëjmë muzikë, por zhurmë”, u shpreh ai.
Në përfundim, producenti bëri apel për më shumë respekt ndaj artistëve, duke e cilësuar Shpat Kasapin si një shembull që duhet t’u shërbejë të tjerëve.
“Le të jetë një shembull për të gjithë të tjerët që të jenë korrektë, të pastër, të mirë. Të gjithë ne duhet të kemi kujdes ndaj yjeve tanë, t’i respektojmë pak më tepër, sepse një ditë do të jetë vonë”, përfundoi Qahili.
Shpat Kasapi u nda nga jeta më 26 nëntor 2025, në moshën 40-vjeçare, në Itali, pas një arresti kardiak. Lajmi i papritur tronditi familjarët, miqtë, kolegët dhe publikun që e kishte ndjekur gjatë karrierës së tij muzikore.
/vizionplus.tv




