E enjte, 26 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
‘Pepa Group’ e Mir Pepës fiton tenderin 5 mln € për rindërtim
Lajme

‘Pepa Group’ e Mir Pepës fiton tenderin 5 mln € për rindërtim

Një tjetër kontratë miliona eurosh nga institucionet publike për kompaninë “Pepa Group”, e cila është vendosur nën sekuestro në kuadër të hetimeve të SPAK për një grup të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Bashkia e Tiranës ka shpallur fituese kompaninë e krijuar nga Jetmir Pepa në tenderin për hartimin e projektit dhe zbatimin e punimeve për ndërtimin e godinës 11 në zonën zhvillimore të Kombinatit. Fondi limit i procedurës ishte 471.3 milionë lekë, ose mbi 5 milionë euro.

Procedura është zhvilluar për një projekt të rindërtimit në kryeqytet, ndërsa shpallja e “Pepa Group” si fituese ngre pikëpyetje për mënyrën se si është administruar tenderi, duke pasur parasysh statusin e kompanisë në kuadër të hetimeve penale ndaj pronarit të saj.

Sipas të dhënave të bëra publike, kompania nuk kishte paraqitur ofertën më të ulët financiare në garë. Megjithatë, Bashkia e Tiranës e ka renditur atë si fituese të procedurës.

SPAK e ka vendosur kompaninë nën sekuestro

Jetmir Pepa është shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai u arrestua në Dubai, ndërsa autoritetet shqiptare e kërkojnë për t’u përballur me akuzat e ngritura ndaj tij.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, grupi ku dyshohet se bënte pjesë Pepa ka trafikuar rreth 7.5 tonë kokainë gjatë viteve 2019–2021. Hetuesit kanë identifikuar tetë episode të dyshuara të transportimit të sasive të mëdha të drogës nga Amerika Latine drejt vendeve europiane, kryesisht Holandës dhe Belgjikës.

Në disa raste, ngarkesat janë kapur nga autoritetet europiane, ndërsa në episode të tjera dyshohet se një pjesë e kokainës ka arritur të kalojë kontrollet. Droga fshihej në kontejnerë me produkte ushqimore, mes tyre fruta të ngrira, peshk dhe banane, me synimin për t’iu shmangur kontrolleve doganore.

Në kuadër të hetimit, SPAK ka kërkuar dhe realizuar sekuestrimin e pasurive që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal. Mes tyre është edhe kompania “Pepa Group”, për të cilën prokuroria dyshon se është përdorur në skemën e pastrimit të parave të përfituara nga trafiku i drogës.

Lista e pasurive të sekuestruara përfshin gjithashtu një hidrocentral, hotele, apartamente dhe sipërfaqe toke, me vlerë miliona euro.

Tenderi i Kombinatit dhe pikëpyetjet për verifikimet

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, “Pepa Group” është shpallur fituese e një kontrate publike me vlerë të konsiderueshme për rindërtimin e Kombinatit.

Të dhënat e procedurës së prokurimit tregojnë se tenderi pati nëntë ofertues, ndërsa pesë prej tyre u kualifikuan. Përzgjedhja e kompanisë, e cila ndodhet nën sekuestro në kuadër të hetimit të SPAK, ngre pikëpyetje mbi verifikimet e kryera nga autoriteti kontraktor përpara shpalljes së fituesit.

Mbetet për t’u sqaruar se çfarë kontrollesh ka kryer Bashkia e Tiranës mbi statusin ligjor të kompanisë dhe nëse janë marrë në konsideratë masat e vendosura nga drejtësia gjatë procesit të vlerësimit të ofertave.

Në një kohë kur SPAK po heton pasuritë dhe aktivitetin ekonomik të lidhur me Jetmir Pepën, fitimi i një kontrate publike për miliona euro nga kompania e sekuestruar kërkon transparencë mbi procedurën dhe kriteret që çuan në përzgjedhjen e saj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.