Blushi përballë Komisioneres Kos: Evropa të mos bëhet streha e narkoshtetit, por fundi i pandëshkueshmërisë së tij

Blushi përballë Komisioneres Kos: Evropa të mos bëhet streha e narkoshtetit, por fundi i pandëshkueshmërisë së tij

17:23, 26/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, kërkoi nga Komisioni Evropian përgjegjësi politike dhe institucionale për bllokimin e fondeve europiane, si dhe monitorim të posaçëm për çështjen e Ilir Metës, gjatë takimit të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian me Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos.

Blushi akuzoi qeverinë e Edi Ramës për korrupsion, sabotim të perspektivës europiane dhe shkelje të të drejtave themelore, duke deklaruar se Europa nuk duhet të bëhet strehë politike e narkoshtetit, por instrumenti i përfundimit të pandëshkueshmërisë së tij.

Në fjalën e tij, Blushi theksoi se Partia e Lirisë mbështet integrimin europian të Shqipërisë, por nënvizoi se procesi nuk mund të reduktohet në hapjen e kapitujve, pasi kërkon shtetin e së drejtës, institucione të pavarura, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore.

Blushi ngriti dy shqetësime kryesore, duke nisur me bllokimin e fondeve europiane. Ai tha se mosaktivizimi i programit IPARD III, i evidentuar edhe në Raportin e Progresit të 4 nëntorit, u ka mohuar fermerëve shqiptarë rreth 336 milionë euro mbështetje për tre vite.

Sipas tij, nga 922 milionë euro të parashikuara në Planin e Rritjes së BE-së, deri në fund të vitit 2025 Shqipëria kishte përfituar vetëm 76.2 milionë euro mbështetje buxhetore, ndërsa për 228.47 milionë euro investime nuk ishte disbursuar asnjë fond, për shkak të mosrealizimit të reformave.

Fjala e Tedi Blushit:

E nderuar Komisionere Kos!

Partia e Lirisë mbështet palëkundur integrimin evropian të Shqipërisë. Por integrimi nuk është thjesht hapje kapitujsh. Ai kërkon shtet të së drejtës, institucione të pavarura, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe respektim të lirive dhe të drejtave themelore.

Dua të evidentoj dy shqetësime madhore.

Së pari, bllokimi i fondeve evropiane.

Mosaktivizimi i IPARD III, i evidentuar edhe në Raportin e Progresit të 4 nëntorit, u ka mohuar fermerëve shqiptarë rreth 336 milionë euro për tre vite.

Nga 922 milionë euro të parashikuara në Planin e Rritjes së BE-së, deri në fund të vitit 2025 Shqipëria përfitoi vetëm 76.2 milionë euro mbështetje buxhetore, ndërsa për 228.47 milionë euro investime disbursimi ishte zero, për shkak të mosrealizimit të reformave.

Kur korrupsioni i Qeverisë bllokon reformat dhe u mohon shqiptarëve qindra milionë euro ndihma që i vjedh vetë Qeveria si në rastin e fondeve IPARD, ky nuk është integrim por është sabotim i perspektivës evropiane.

I kërkojmë Komisionit Evropian të mos mjaftohet me konstatime, por të kërkojë përgjegjësi politike dhe institucionale.

Narko-euro dhe deformimet e ekonomisë janë kambanë alarmi. Evropa nuk mund të jetë vetëm euro dhe, aq më pak, narko-euro!

Narkoshteti i krijuar nga Edi Rama në zemër të Evropës përbën sot kërcënim për sigurinë kombëtare, rajonale dhe kontinentale, sa kohë Kriteret e Kopenhagenit janë ende në fuqi!

Së dyti, shkelja e të drejtave themelore të Ilir Metës.

Shqipëria është sot i vetmi vend anëtar i NATO-s me të burgosur politik.

Me urdhër publik të Kryeministrit Rama, nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, më 21 tetor 2024, ish-Presidenti i Republikës dhe lideri i i forcës së dytë opozitare, Ilir Meta, u rrëmbye në një operacion mafioz. Dy vite më pas, hetimet ende nuk kanë përfunduar dhe sot nuk ka as autor as përgjegjës për këtë akt kriminal të terrorit shtetëror, pavarësisht se u pa nga e gjithë bota.

Prej dy vitesh në paraburgim politik dhe të paligjshëm, të tejzgjatur për shkak të zvarritjes politike të proceseve gjyqësore, në izolim ekstrem dhe çnjerëzor, me zero prova dhe fakte penale kundër tij, Z. Meta i mohohet edhe liria e shprehjes, e drejta për intervista mediatike (që nuk iu është mohuar as Navalnyt dhe Khodorkovskyt në Rusinë e Putinit), ndërsa gjykimi që duhej të ishte publik mbahet nën censurë dhe pa transparencë.

Kërkojmë monitorim të posaçëm evropian, hetim të pavarur për rrëmbimin, garantimin e të drejtave të tij themelore dhe transparencë të plotë gjyqësore.

E nderuar Komisionere,

Shqipëria nuk kërkon të anëtarësohet në një Evropë që mbyll sytë përballë Narkoshtetit, por në Evropën e shtetit të së drejtës, të lirisë dhe të demokracisë.

Evropa nuk mund të jetë streha politike e Narkoshtetit, por fundi i pandëshkueshmërisë së tij!

Ju faleminderit!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco