Aktgjykimi i Apelit për vrasjen e Liridona Ademajt: Mbeten burgimet e përjetshme për Murselin e Plavën dhe 30 vjet për Kokallën
Gjykata e Apelit ka publikuar aktgjykimin e plotë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, përmes të cilit ka refuzuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, përfaqësuesit të familjes së viktimës dhe mbrojtësve të tre të dënuarve.
Apeli ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të 6 korrikut 2026, duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, si dhe dënimin prej 30 vjetësh burgim për Kushtrim Kokallën.
Në arsyetimin e vendimit, Gjykata e Apelit ka përshkruar mënyrën se si, sipas saj, ishte organizuar dhe kryer vrasja, rolin e secilit prej të dënuarve, provat që e mbështetën aktgjykimin e shkallës së parë dhe arsyet pse pretendimet e mbrojtjeve nuk u konsideruan të bazuara.
Si e përshkruan Apeli organizimin dhe kryerjen e vrasjes
Sipas përshkrimit të ngjarjes që Gjykata e Apelit e ka vlerësuar si të vërtetuar, Naim Murseli kishte vendosur ta privonte nga jeta bashkëshorten e tij, Liridona Ademaj, për shkak të raporteve jo të mira bashkëshortore.
Në arsyetim thuhet se Murseli fillimisht kishte biseduar me Kushtrim Kokallën, duke i ofruar para që ta kryente vrasjen. Kokalla kishte refuzuar ta bënte vetë, por i kishte propozuar Granit Plavën si person që mund ta kryente atë.
Sipas gjykatës, Kokalla i kishte njoftuar Murselin dhe Plavën, ndërsa më pas kishte marrë pjesë edhe në bisedat për përgatitjen e planit. Në këto takime ishte diskutuar edhe mundësia e inskenimit të një aksidenti komunikacioni, por Plava nuk ishte pajtuar me këtë mënyrë.
Apeli ka vlerësuar se më pas ishte vendosur që vrasja të inskenohej si grabitje.
Në përshkrimin e ngjarjes, gjykata thotë se Murseli, së bashku me Liridona Ademajn dhe dy fëmijët e tyre, kishte shkuar me veturë në vendin ku po e priste Plava.
Pasi Murseli i kishte dhënë shenjë me dritat e veturës, Plava ishte afruar me maskë në kokë dhe armë në duar. Murseli e kishte ndalur veturën dhe kishte fikur motorin, ndërsa, sipas aktgjykimit, e kishte mbajtur Liridonën për krahun e majtë, në mënyrë që Plava të qëllonte në drejtim të saj.
Plava kishte shtënë një herë me armë zjarri përmes dritares gjysmë të hapur në anën e pasagjerit, duke e goditur Liridonën në kokë, prapa veshit të djathtë. Ajo kishte vdekur në vendin e ngjarjes.
Apeli ka vlerësuar se pas vrasjes, Murseli ishte larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me dy fëmijët, ndërsa Plava ishte larguar veçmas.
Arma, autopsia dhe lëndimet në krahun e viktimës
Në arsyetimin e aktgjykimit, Gjykata e Apelit i është referuar një sërë provash materiale dhe ekspertizash, përfshirë raportin e autopsisë, ekspertizën balistike, raportet e ADN-së, video-incizimet dhe të dhënat nga telefonat e të akuzuarve.
Një prej provave kryesore të përmendura është ekspertiza balistike e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, e cila kishte vërtetuar se predha e gjetur në vendin e ngjarjes ishte shkrepur nga arma e tipit “Zastava”, e gjetur në shtëpinë e Granit Plavës.
Sipas aktgjykimit, kjo armë ishte përdorur për vrasjen e Liridona Ademajt. Ajo ishte sekuestruar gjatë bastisjes në shtëpinë e Plavës, më 1 dhjetor 2023.
Gjykata i është referuar edhe raportit të autopsisë, sipas të cilit vdekja e Liridonës kishte ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme trunore, të shkaktuar nga plaga tejshkuese në regjionin e kokës.
Një tjetër element që Apeli e ka konsideruar të rëndësishëm janë lëndimet në krahun e viktimës. Sipas arsyetimit, ekspertiza mjekoligjore kishte konstatuar ndrydhje në krahun e Liridonës, të cilat gjykata i ka lidhur me deklarimin se Murseli e kishte mbajtur atë gjatë momentit të shtënies.
Apeli i është referuar edhe deklaratës së Leonard Ademajt, i cili kishte treguar atë që kishte dëgjuar nga fëmija që ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes.
Gjykata ka përmendur gjithashtu raportet e video-incizimeve nga lokacione të ndryshme, lëvizjet e veturave të Murselit dhe Plavës, si dhe komunikimet e gjetura në telefonat e tyre.
Në arsyetim përmendet edhe një incizim audio-video, në të cilin dëgjohet një e shtënë, e cila përputhet me faktin se në vrasje ishte shkrepur një plumb.
Pse Apeli nuk e pranoi pretendimin se Plava nuk ishte personi që kishte shtënë
Mbrojtja e Granit Plavës kishte kundërshtuar identifikimin e tij si personi që kishte shtënë ndaj Liridona Ademajt. Ajo kishte pretenduar se nuk kishte dëshmitar okular që e identifikonte Plavën si ekzekutues dhe se provat elektronike e video-incizimet tregonin lëvizjet e veturave, por jo identitetin e personit të maskuar.
Mbrojtja kishte kërkuar edhe rikonstruktimin e vendit të ngjarjes, me pjesëmarrjen e ekspertëve të mjekësisë ligjore dhe balistikës, për të sqaruar pozicionet e personave në veturë, këndin e të shtënës dhe mundësinë e identifikimit të personit që kishte qëlluar.
Po ashtu, kishte kundërshtuar përdorimin e deklaratave të Plavës në polici, duke pretenduar se ai kishte qenë nën presion dhe në gjendje të rënduar fizike e emocionale gjatë intervistimit. Sipas mbrojtjes, në atë kohë ishte thirrur edhe ndihma e shpejtë, e cila i kishte dhënë injeksion dhe një tabletë.
Mbrojtja kishte ngritur edhe çështjen e ekspertizës psikike të Plavës, duke kërkuar vlerësim plotësues dhe duke kundërshtuar mënyrën se si ishte trajtuar gjendja e tij shëndetësore.
Gjykata e Apelit i ka refuzuar këto pretendime. Në arsyetim thuhet se shkalla e parë kishte dhënë arsye të mjaftueshme për vlerësimin e provave dhe se deklaratat e dhëna në polici ishin marrë në mënyrë të rregullt, në praninë e mbrojtësve.
Apeli ka theksuar se aktgjykimi nuk ishte mbështetur vetëm në deklaratat e dhëna në polici, por edhe në deklarimet e mëvonshme në prokurori e në shqyrtimin gjyqësor, në dëshmitë e dëshmitarëve dhe në provat materiale.
Sa i përket identifikimit të Plavës, gjykata ka vlerësuar se arma e gjetur në shtëpinë e tij përputhej me predhën e gjetur në vendin e ngjarjes. Po ashtu, ka marrë parasysh deklarimet e Plavës për praninë e tij në vendin e ngjarjes dhe marrëveshjen me Murselin.
Në arsyetim thuhet se Plava kishte pranuar se kishte qenë në vendin e ngjarjes bashkë me Murselin, por gjatë shqyrtimit gjyqësor kishte pretenduar se ishte Murseli ai që kishte shtënë dhe jo ai.
Apeli ka vlerësuar se ky version nuk qëndronte përballë ekspertizës balistike dhe provave të tjera të administruara.
Versionet e ndryshme të Plavës për përfshirjen e Kokallës
Një pjesë e rëndësishme e arsyetimit lidhet me deklarimet e ndryshme të Granit Plavës për rolin e Kushtrim Kokallës.
Në intervistimin e parë policor, më 1 dhjetor 2023, Plava kishte deklaruar se me Murselin njihej prej 10 deri në 15 vjetësh dhe nuk e kishte përfshirë Kokallën në ndonjë veprim ndihmës për vrasjen. Ai kishte thënë se për këtë çështje kishte biseduar vetëm me Murselin.
Në intervistimin e dytë, më 14 dhjetor 2023, Plava kishte dhënë një version tjetër. Ai kishte deklaruar se me Murselin ishte njohur përmes Kokallës dhe se ky i fundit, gjatë një takimi në pompën “Shell” në Veternik, i kishte propozuar një skenar për inskenimin e një aksidenti me veturë.
Plava kishte thënë se e kishte refuzuar atë propozim. Në deklarimin e dytë kishte folur edhe për takimin në pompën “Benita”, premtimet dhe paratë që, sipas tij, kishte marrë nga Murseli, duke shtuar se takimet me të i kishte realizuar përmes Kokallës.
Ndërkaq, gjatë shqyrtimit gjyqësor, Plava kishte dhënë një tjetër version, duke thënë se Kokalla nuk kishte të bënte me vrasjen dhe se kishte pasur kontakte të vazhdueshme me Murselin edhe pa praninë e tij.
Apeli i ka vlerësuar këto versione si kundërthënëse dhe ka theksuar se në deklarimet e tij Plava fillimisht nuk e kishte përfshirë fare Kokallën, më pas kishte përshkruar rolin e tij në njohjen me Murselin dhe në propozimin e skenarit të aksidentit, ndërsa në gjykim e kishte përjashtuar nga përfshirja.
Apeli: Kokalla ndihmoi në përgatitjen e planit të vrasjes
Mbrojtja e Kushtrim Kokallës kishte pretenduar se takimet me Murselin dhe Plavën nuk përbënin vetvetiu vepër penale dhe se gjykata e shkallës së parë nuk kishte përshkruar konkretisht veprimet përmes të cilave Kokalla kishte ndihmuar në vrasje.
Avokati Ndrecë Dodaj kishte kundërshtuar cilësimin e veprimeve të Kokallës si ndihmë në kryerjen e vrasjes, duke thënë se gjetja e personit që do ta kryente veprën nuk përbënte veprim të dënueshëm në kuptimin e nenit 33 të Kodit Penal.
Mbrojtja kishte përmendur edhe takimin në “Shell”, rreth një muaj para vrasjes, dhe takimin në “Benita”, katër deri në gjashtë ditë para ngjarjes. Sipas saj, në takimin e dytë Kokalla kishte marrë 300 euro nga Murseli si pjesë të këstit të një kredie që ia kishte dhënë.
Gjykata e Apelit nuk i ka pranuar këto pretendime. Në arsyetim thuhet se Kokalla fillimisht e kishte njoftuar Murselin me Plavën, e kishte propozuar këtë të fundit si person që mund ta kryente vrasjen dhe kishte marrë pjesë në bisedat për përgatitjen e planit.
Apeli ka vlerësuar se Kokalla kishte qenë i pranishëm edhe në diskutimet për inskenimin e një aksidenti si mënyrë për ta privuar nga jeta Liridonën, propozim të cilin Plava e kishte refuzuar.
Sipas gjykatës, pas refuzimit të këtij skenari, të akuzuarit kishin vazhduar bisedimet për mënyra të tjera të kryerjes së vrasjes, derisa ishte vendosur që ngjarja të inskenohej si grabitje.
Apeli ka konstatuar se veprimet e Kokallës përbënin ndihmë në përgatitjen e planit, përfshirë dhënien e udhëzimeve dhe këshillave për mënyrën e kryerjes së veprës penale.
Pse u refuzua kërkesa për rikonstruktim dhe super-ekspertizë
Mbrojtjet e të akuzuarve kishin kërkuar rikonstruktimin e vendit të ngjarjes, super-ekspertizë për gjendjen mendore të Naim Murselit dhe Granit Plavës, si dhe shikimin e video-incizimeve që kishin të bënin me komunikimin e fëmijëve nga Suedia.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se refuzimi i këtyre propozimeve nga shkalla e parë nuk përbënte shkelje të procedurës penale.
Sipas arsyetimit, gjendja faktike ishte vërtetuar mjaftueshëm përmes provave materiale, dëshmive dhe ekspertizave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Për gjendjen mendore të Murselit dhe Plavës, Apeli ka theksuar se gjykata e shkallës së parë kishte marrë parasysh ekspertizat psikiatrike dhe kishte dëgjuar ekspertët gjatë shqyrtimit gjyqësor, të cilët kishin dhënë sqarime plotësuese.
Ndërsa, sa i përket video-incizimeve që lidheshin me komunikimin e fëmijëve, Apeli ka vlerësuar se moslejimi i shikimit të tyre ishte bërë edhe për të mbrojtur personalitetin dhe privatësinë e fëmijëve.
Gjykata ka përfunduar se nuk kishte shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se aktgjykimi i shkallës së parë nuk ishte mbështetur në prova të papranueshme.
Pse Kokalla nuk u dënua me burgim të përjetshëm
Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe përfaqësuesi i familjes së Liridona Ademajt, avokati Leutrim Syla, kishin kërkuar që edhe Kushtrim Kokallës t’i shqiptohej burgim i përjetshëm, duke vlerësuar se dënimi prej 30 vjetësh ishte tepër i butë për rolin e tij në përgatitjen e vrasjes.
Në anën tjetër, mbrojtjet e Murselit dhe Plavës kishin kërkuar dënime më të buta, duke kundërshtuar burgimin e përjetshëm.
Apeli i ka refuzuar të gjitha këto kërkesa.
Në arsyetim thuhet se për veprën penale të kryer në ndihmë, ligji parasheh që ndihmësit t’i shqiptohet dënim më i butë sesa kryerësit e veprës penale. Për këtë arsye, sipas gjykatës, shkalla e parë nuk kishte mundësi t’i shqiptonte Kokallës burgim të përjetshëm.
Gjykata ka vlerësuar se dënimi prej 30 vjetësh burgim ishte në përputhje me dispozitat ligjore dhe me rolin e tij në kryerjen e veprës penale.
Sa u përket Murselit dhe Plavës, Apeli ka vlerësuar se burgimi i përjetshëm ishte i drejtë dhe i ligjshëm, duke marrë parasysh shkallën e lartë të dashjes, planifikimin e vrasjes, motivin material në rastin e Murselit dhe mënyrën e kryerjes së saj në praninë e dy fëmijëve.
Si rrethana rënduese, gjykata ka përmendur edhe faktin se Liridona ishte e re, nënë e dy fëmijëve dhe ishte vrarë në një situatë ku ishte e pambrojtur.
Në arsyetim thuhet se të akuzuarit, pas kryerjes së vrasjes, kishin vazhduar aktivitetet e tyre, përfshirë edhe argëtimin, pa treguar keqardhje për viktimën.
Apeli ka vlerësuar se rrethanat lehtësuese të paraqitura nga mbrojtjet ishin të parëndësishme në raport me rrethanat rënduese dhe pasojat e veprës penale.
Çfarë mbetet në fuqi
Me këtë vendim mbeten në fuqi burgimi i përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, si dhe 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën.
Në fuqi mbetet edhe dënimi për Plavën për mbajtje të paautorizuar të armës, ndërsa arma e tipit “Zastava” dhe 19 fishekë janë konfiskuar.
Nga Murseli janë konfiskuar një telefon iPhone 12 Pro, 1 mijë e 350 euro dhe një pajisje DWR. Nga Plava është konfiskuar edhe një telefon Samsung A14, ndërsa nga Kokalla një iPhone 14 Pro Max.
Pjesa e aktgjykimit të shkallës së parë që kishte të bënte me akuzën ndaj Kokallës për moslajmërim të veprave penale apo kryesve të tyre mbetet e paprekur. Kjo akuzë ishte refuzuar pasi prokuroria ishte tërhequr prej saj gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit mban numrin PAKR.nr.480/2026. Në udhëzimin juridik thuhet se palët mund të paraqesin ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit, përmes gjykatës së shkallës së parë.














