Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Konferencën e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, ka kërkuar ndryshimin e qasjes së Bashkimit Europian ndaj rajonit, duke argumentuar se Ballkani Perëndimor nuk duhet parë më vetëm në kuadër të procesit të zgjerimit, por edhe si një destinacion investimesh dhe një hapësirë me potencial ekonomik.

Rama është kthyer 12 vite pas në kohë, duke kujtuar takimin e parë të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, me ftesë të ish-kancelares gjermane Angela Merkel, takim që shënoi edhe nisjen e Procesit të Berlinit.

Kryeministri e përshkroi rrugëtimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit si një kalim nga “epoka e akullit deri te temperatura e dhomës”, duke nënvizuar se ajo që sot konsiderohet rutinë diplomatike, 12 vite më parë përbënte një zhvillim historik.

“E përshkova rrugën nga epoka e akullit deri te temperatura e dhomës. E kam të vështirë të besoj ku e nisëm. 12 vite më parë, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor u ulën për herë të parë në Berlin, në një tryezë të përbashkët, me ftesën e Merkelit. Ajo që sot është rutinë diplomatike, atë kohë ishte historia që ndodhte.

Ajo e hapi me fjalët: ‘Mirë se erdhët në Berlin, në një bashkëbisedim mes europianësh. Ju nuk jeni ende pjesë e BE-së, por jeni europianë dhe është koha ta ktheni rajonin në një vend ku rregullat europiane zbatohen në tërësi në rajon’. Kështu nisi Procesi i Berlinit”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë kërkoi që marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor të kalojnë në një tjetër fazë, ku vendet e rajonit të mos konsiderohen vetëm si ekonomi që përpiqen të arrijnë standardet europiane, por edhe si një mundësi për investitorët.

Sipas Ramës, potenciali ekonomik i Ballkanit Perëndimor duhet të dëshmohet tashmë përmes projekteve konkrete dhe rezultateve.

“12 vite më pas është koha që të mos shihemi më vetëm përmes lenteve të zgjerimit, si rajon që përpiqet të kapë ritmin me BE-në. Jemi destinacion investimi, një kënd në rritje i Europës. Ballkani Perëndimor është një propozim dhe duhet të vërtetohet me projekte e rezultate. Më lini t’ju jap argumentin për vendin që njoh më mirë”, deklaroi kryeministri, përpara se të ndalej te Shqipëria.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb