Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ngritur shqetësimet për lidhjet mes krimit të organizuar, politikës, korrupsionit dhe kapjes së institucioneve në Shqipëri, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, ku ishte e pranishme edhe komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos.
“Mirë se erdhët në Tiranë, në zemrën e narkoshtetit të parë dhe të vetëm të Europës”, iu drejtua Këlliçi komisioneres, duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës se e ka shndërruar Shqipërinë në një vend ku krimi i organizuar ka depërtuar në strukturat e pushtetit.
Gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat referoi një sërë raportesh ndërkombëtare dhe deklaratash të zyrtarëve europianë e amerikanë, të cilat, sipas tij, ngrenë shqetësime për lidhjet e krimit të organizuar me politikën, pastrimin e parave, korrupsionin dhe standardet e zgjedhjeve në vend.
Këlliçi vuri në dukje kontrastin mes avancimit të negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe problematikave të evidentuara në raportet ndërkombëtare për funksionimin e demokracisë shqiptare.
Deputeti demokrat solli në vëmendje edhe protestat që vijojnë prej 180 ditësh kundër qeverisë, duke theksuar se qytetarët po kundërshtojnë korrupsionin dhe atë që ai e cilësoi si kapje të shtetit.
Këlliçi kundërshtoi gjithashtu deklaratën e komisioneres Kos, e cila gjatë mbledhjes e lidhi fenomenin e korrupsionit edhe me mentalitetin e shoqërisë shqiptare.
Sipas deputetit demokrat, përgjegjësia për korrupsionin qeveritar nuk mund t’u atribuohet qytetarëve, të cilët, siç tha ai, prej muajsh po protestojnë kundër këtij fenomeni.
Ai ia atribuoi përgjegjësinë politike kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut, duke theksuar se shqiptarët e duan anëtarësimin në Bashkimin Europian, por si qytetarë të një demokracie funksionale, me institucione të pavarura, zgjedhje të lira dhe sundim të ligjit.
Në përfundim, Këlliçi deklaroi se Shqipëria nuk duhet të jetë pjesë e një fasade europiane të ngritur mbi një shtet që, sipas tij, kontrollohet nga një parti e vetme.