Komisioni i Disiplinës rrëzon kërkesën e bluve për konvertimin e dy ndeshjeve të mbetura të dënimit. Trajneri do të vuajë të plotë pezullimin prej pesë takimesh dhe vendimi nuk mund të apelohet.

Ilir Daja do të duhet të qëndrojë ende jashtë pankinës. Komisioni i Disiplinës dhe Etikës i Federatës Shqiptare të Futbollit ka rrëzuar kërkesën e FC Dinamo City për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit të trajnerit kryeqytetas.

Në vendimin nr. 18/1, të datës 26 nëntor 2026, Komisioni ka vendosur të mos pranojë kërkesën e klubit për konvertimin e dy ndeshjeve të mbetura nga pezullimi prej pesë takimesh, që iu vendos Ilir Dajës më 30 tetor 2026, me vendimin nr. 14.

Kështu, masa disiplinore mbetet e pandryshuar dhe trajneri i Dinamos duhet ta shlyejë të plotë pezullimin e përcaktuar nga Disiplina. Një lajm aspak pozitiv për blutë, të cilët shpresonin të kishin në dispozicion trajnerin e tyre më herët. Për më tepër, vendimi i Komisionit është përfundimtar dhe i paapelueshëm, në përputhje me nenin 75/4 të Kodit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF-së. Pra, Dinamo nuk ka më një rrugë tjetër për të kundërshtuar këtë vendim në rrugë sportive.

Top Channel