Rama: Një dekadë më parë 10 miliardë euro ishte e gjithë ekonomia, sot është buxheti i vendit

Politikë | 1 minutë më parë

Kryeministri Edi Rama mbylli punimet e ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, ku vuri theksin te transformimi ekonomik i Shqipërisë dhe roli i rajonit si një destinacion i ri për investime strategjike në Evropë.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se Ballkani Perëndimor nuk duhet parë më vetëm si një rajon që kërkon të arrijë ritmin e Bashkimit Evropian, por si një hapësirë me potencial të madh për investime, inovacion dhe zhvillim ekonomik.

“Një dekadë më vonë, pas Procesit të Berlinit, lindi Plani i Ri i Rritjes. Si një rajon që përpiqet të kapë ritmin me BE-në, ne jemi më shumë se kaq. Jemi një rajon i ri investimi. Është një propozim dhe ky propozim duhet të vërtetohet me projekte dhe partneritete. Shihni Shqipërinë. Një dekadë më parë ishte një ekonomi 10 miliardë euro, sot është një ekonomi 30 miliardë euro. E kemi trefishuar ekonominë dhe synojmë të bëjmë më shumë”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi pozicionin strategjik të Shqipërisë dhe perspektivën europiane të vendit.

“Gjendemi mes Adriatikut dhe Jonit, përballë Italisë, portë hyrëse në Ballkan, anëtare e NATO-s dhe synojmë të jemi anëtare e Bashkimit Evropian. Sapo jam kthyer nga samiti BE-Ballkan Perëndimor me lajme të mira dhe jam besimplotë se Marta do ua thotë. Shqipëria do të marrë më shumë nga Plani i Rritjes, jo si nder, por sepse kemi bërë mirë detyrat e shtëpisë”, u shpreh ai.

Rama foli edhe për zhvillimet ekonomike të viteve të fundit, duke theksuar se ajo që një dekadë më parë ishte e gjithë ekonomia e vendit, sot përfaqëson buxhetin e shtetit.

“Një dekadë më parë, 10 miliardë euro ishte e gjithë ekonomia jonë, sot është buxheti. Vendi ynë ka tatim zero mbi fitimin e bizneseve të vogla. Tirana ndryshon ditë pas dite. Keni dëgjuar për arkitektët e mëdhenj që po ndërtojnë këtu? Ligjin tonë krejt të ri për strehimin e përballueshëm. Në vitin 2000, kur u bëra kryetar bashkie, kishim një bulevard të humbur. Sot kemi një kryeqytet europian dhe ky është përparim”, tha kryeministri.

Sipas Ramës, Shqipëria dhe rajoni nuk po kërkojnë besim të verbër nga investitorët, por po paraqesin rezultate konkrete.

“Nuk po kërkojmë një akt besimi, po tregojmë bilanc. Europa është në një moment vendimtar të transformimit të ekonomisë së saj, të energjisë dhe kapaciteteve. Rajoni është pjesë e përgjigjeve, një investim strategjik që Europa duhet ta bëjë për sigurinë e vet ekonomike dhe konkurrueshmërinë”, deklaroi ai.

Kryeministri veçoi sektorët që sipas tij do të përcaktojnë zhvillimin ekonomik në vitet e ardhshme, duke përmendur teknologjinë, inteligjencën artificiale dhe energjinë.

“Kjo konferencë ka kaluar nga dialogu në zotime, për të dytin vit me radhë. Suksesi nuk matet me numra, por me projekte që ndërtohen dhe vende pune që zgjasin. Ka tri gjëra që do të përcaktojnë industritë e së nesërmes: zgjidhjet bioteknologjike, zgjidhjet digjitale dhe inteligjenca artificiale”, tha Rama.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e ndërlidhshmërisë rajonale dhe investimeve në sistemet energjetike.

“Ndërlidhshmëria dhe depozitimi i baterive duhet t’i ndërtojmë si rajon, sepse sistemet e ndërlidhura të Bashkimit Evropian vlejnë më shumë për ne. Aftësitë dhe produktiviteti tërheqin investime. Trajnimi profesional duhet t’i përgjigjet asaj që kërkon biznesi”, u shpreh kryeministri.

Në fund të fjalës së tij, Rama përmendi edhe projektin e Zvërnecit, duke e lidhur atë me zhvillimin e aftësive profesionale dhe të rinjve.

“Për projektin e Zvërnecit mund të mos keni dëgjuar, sepse pjesa më e madhe ka të bëjë me të rinjtë dhe aftësitë. Ne i themi çdokujt: investoni në vendin tuaj”, përfundoi Rama.

Konferenca Ndërkombëtare e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor mblodhi në Tiranë përfaqësues të institucioneve europiane, qeverive të rajonit, organizatave financiare ndërkombëtare dhe komunitetit të biznesit, me fokus nxitjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme