Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë të ditur se gjatë bisedimeve me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kinë javën e kaluar, i ka kërkuar atij të ndalojë çdo formë agresioni ushtarak ndaj Evropës. Qëllimi, sipas tij, është arritja e një marrëveshjeje mes Rusisë dhe Ukrainës.
Lajmin e dha vetë Trump përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social. Ai u shpreh se beson se një marrëveshje mes dy vendeve është e mundur dhe mund të arrihet së shpejti. Sipas presidentit amerikan, përfundimi i luftës do të ndalte humbjen e mijëra jetëve njerëzore çdo muaj.
Kërkesa e Trump në bisedën me Putinin
“Gjatë bisedimeve të mia në Kinë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, kalova shumë kohë duke diskutuar dëshirën time për të parë presidentin Putin të ndalojë çdo agresion ushtarak kundër territoreve në të gjithë Evropën, me shpresën për të arritur shpejt një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës”, shkroi Trump në postimin e tij.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi se e beson sinqerisht se kjo është shumë e mundur. “Mijëra njerëz vriten çdo muaj, një gjakderdhje e vërtetë, dhe kjo do të ishte një arritje e madhe për të gjithë”, theksoi ai.
Trump bëri gjithashtu të ditur se të mërkurën u takua në rezidencën e tij në Mar-a-Lago me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Sipas presidentit amerikan, gjatë takimit u diskutuan disa çështje dhe ai e informoi kreun e Aleancës për bisedimet që kishte zhvilluar me presidentin rus në Kinë.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje mes Moskës dhe Kievit vijojnë të jenë në fokus të diskutimeve ndërkombëtare. Takimi Trump-Rutte në Mar-a-Lago u zhvillua po në këtë kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë drejtim negociatave.
