Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kundërshtoi nga foltorja e Kuvendit shqyrtimin dhe votimin e aktit normativ për protestat, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që pezulloi pjesërisht zbatimin e tij. Berisha argumentoi se Parlamenti nuk mund të shqyrtojë një akt ligjor të pezulluar nga Kushtetuesja, duke e cilësuar një veprim të tillë si cenim të parimit të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë së gjyqësorit.
Ai theksoi se në parimin themelor të Kushtetutës, në asnjë rrethanë parlamenti nuk mund të shqyrtojë një akt të pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, dhe se një veprim i tillë përbën “asgjësim të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë apo autonomisë të pushtetit gjyqësor”. Berisha shtoi se Kuvendi nuk ka kompetencë të ndërhyjë në përmbajtjen e aktit normativ, por vetëm ta miratojë ose ta rrëzojë atë në tërësi, duke kërkuar që pas vendimit të Kushtetueses shqyrtimi të ndalojë.
Kreu i demokratëve theksoi gjithashtu se dekretet e qeverisë miratohen integralisht dhe nuk mund të ndryshohen nene pas neni në parlament. Ai ripërsëriti se dekretet miratohen “tekst integral, siç janë, dhe nuk mund të ndryshohen në asnjë nen”, duke vënë në dukje se Kushtetuesja ka pezulluar nenin 5, pika 2, dhe për pasojë akti nuk mund të kalojë për votim në Parlament në këtë fazë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi mazhorancën për qëndrimin ndaj protestuesve dhe paralajmëroi për pasojat që, sipas tij, mund të sjellë përshkallëzimi i përplasjes. Ai u referua edhe një denoncimi të bërë nga një deputete e shumicës ndaj një protestuese, që sipas tij u padit për faktin se e kishte goditur me vezë. Berisha vlerësoi se kjo tregon një qëndrim armiqësor ndaj protestuesve dhe paralajmëroi përgjegjësi për pasojat e mundshme.
Në përfundim, kreu i opozitës përsëriti qëndrimin se akti normativ nuk mund të hidhet në votim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese: “Dekreti nuk mund të votohet që në këtë moment që Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar një nen të saj, ai nuk kalon në parlament. Nuk kalon në parlament, nuk kalon”.

