Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndryshimin e qasjes së Bashkimit Europian ndaj Ballkanit Perëndimor, duke argumentuar se rajoni nuk duhet të shihet më vetëm përmes procesit të zgjerimit, por edhe si një destinacion investimesh me potencial ekonomik.
Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, Rama u kthye 12 vite pas në kohë, duke kujtuar takimin e parë të liderëve të rajonit në Berlin, me ftesë të ish-kancelares gjermane Angela Merkel, i cili shënoi edhe nisjen e Procesit të Berlinit.
Kryeministri e përshkroi zhvillimin e marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor si një kalim “nga epoka e akullit deri te temperatura e dhomës”, duke theksuar se ajo që sot është rutinë diplomatike, 12 vite më parë përbënte një moment historik.
“E përshkova rrugën nga epoka e akullit deri te temperatura e dhomës. E kam të vështirë të besoj ku e nisëm. 12 vite më parë, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor u ulën për herë të parë në Berlin, në një tryezë të përbashkët, me ftesën e Merkelit. Ajo që sot është rutinë diplomatike, atë kohë ishte historia që ndodhte.
“Ajo e hapi me fjalët: ‘Mirë se erdhët në Berlin, në një bashkëbisedim mes europianësh. Ju nuk jeni ende pjesë e BE-së, por jeni europianë dhe është koha ta ktheni rajonin në një vend ku rregullat europiane zbatohen në tërësi në rajon’. Kështu nisi Procesi i Berlinit”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë kërkoi që marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor të kalojnë në një fazë të re, ku vendet e rajonit të mos konsiderohen vetëm ekonomi që përpiqen të arrijnë standardet europiane, por edhe mundësi konkrete për investitorët.
Sipas Ramës, potenciali ekonomik i rajonit duhet të dëshmohet përmes projekteve konkrete dhe rezultateve.
“12 vite më pas është koha që të mos shihemi më vetëm përmes lenteve të zgjerimit, si rajon që përpiqet të kapë ritmin me BE-në. Jemi destinacion investimi, një kënd në rritje i Europës. Ballkani Perëndimor është një propozim dhe duhet të vërtetohet me projekte e rezultate. Më lini t’ju jap argumentin për vendin që njoh më mirë”, deklaroi kryeministri, përpara se të ndalej te Shqipëria.