Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë mbi pasojat ekonomike të korrupsionit dhe mungesës së transparencës, duke theksuar se këto fenomene pengojnë konkurrencën dhe dëmtojnë mundësitë për zhvillim.
Gjatë fjalës në Konferencën e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, Kos deklaroi se koston e korrupsionit nuk e mbajnë vetëm institucionet, por mbi të gjitha qytetarët dhe bizneset.
Sipas saj, sipërmarrësit humbasin kontrata për shkak të konkurrentëve që favorizohen nga lidhjet politike, ndërsa të rinjtë përballen me mungesë mundësish nëse nuk kanë njohjet e duhura.
Komisionerja paralajmëroi gjithashtu se paratë e taksapaguesve mund të përfundojnë në duart e individëve privatë, në vend që të përdoren për interesin publik.
“Mungesa e transparencës dhe korrupsioni kanë koston e tyre. Kjo kosto paguhet nga sipërmarrësit, të cilët humbasin kontrata përballë konkurruesve me lidhje të forta politike. E paguajnë të rinjtë, të cilët nuk kanë mundësi nëse nuk kanë lidhjet e duhura, dhe e paguajnë tatimpaguesit, paratë e të cilëve përfundojnë në xhepat e individëve privatë”, u shpreh Marta Kos.
Duke folur për perspektivën europiane të rajonit, ajo u ndal veçanërisht te Shqipëria, duke lënë të hapur mundësinë që viti 2027 të shënojë një fazë vendimtare në rrugën drejt anëtarësimit.
Kos theksoi se ky objektiv varet nga vijimi i reformave, veçanërisht në drejtim të shtetit të së drejtës, reformës zgjedhore dhe mjedisit.
Ajo nënvizoi se siguria juridike është një kusht themelor për zhvillimin ekonomik, pasi investitorët kanë nevojë për garanci se kontratat do të zbatohen dhe pronësia do të mbrohet.
Sipas Kos, vetëm përmes transparencës, konkurrencës së ndershme dhe institucioneve që garantojnë zbatimin e ligjit mund të krijohet një klimë e qëndrueshme për investimet dhe prosperitetin ekonomik.













