Gjykata e Posaçme shpalli të enjten vendimin për 11 të pandehurit e gjykuar në çështjen e ndarë penale nga ajo e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa – duke dënuar tetë prej tyre.
Tre prej të pandehurve u shpallën të pafajshëm, ndërsa për gjashtë të tjerë u vendos pezullimi i dënimit.
Vendimi u shpall nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Ëngjëllushe Tahiri dhe anëtare Alma Kodraliu e Rudina Palloj.
Biznesmeni Elman Abule u shpall fajtor për veprën penale të pastrimit të parave të kryer në bashkëpunim dhe u dënua me 7 vjet burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi për Abulen u reduktua me 4 vjet e 8 muaj.
Fajtore u gjet edhe kompania e Abules, Rametal, e cila u dënua me 12 milionë lekë gjobë. Gjykata vendosi që gjoba të paguhet brenda gjashtë muajsh pasi vendimi të marrë formë të prerë.
E pandehura Ina Goxhaj u deklarua fajtore për korrupsion aktiv dhe për këtë akuzë u vendos dënimi me 1 vit burg, ndërsa për pastrim parash masa me 7 vjet heqje lirie. Goxhaj u dënua përfundimisht me 4 vjet e 8 muaj burg, por gjykata pezulloi dënimin dhe e vendosi atë në shërbim prove për një periudhë 5-vjeçare.
Për pastrim parash u shpall fajtore edhe Adela Kondakçiu, por gjykata vendosi përjashtimin e saj nga dënimi për shkak të bashkëpunimit me Prokurorinë.
Ish-deputetja socialiste, Klotilda Bushka, e akuzuar se ndërmorri një fushatë për intimidimin e dëshmitarëve së bashku me Veliajn dhe Xoxën u shpall gjithashtu fajtore, por u dënua përfundimisht me 200 mijë lekë gjobë.
E pandehura Frosina Bollo u dënua me 1 vit burg për korrupsion, masë e cila u reduktua në 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Pas pezullimit të dënimit, Bollo u vendos në shërbim prove për 16 muaj.
Organizata jofitimprurëse “Frobolous” u dënua me 333 mijë lekë gjobë.
Ish-punonjësi i policisë, Fatjon Baçi i cili akuzohet se i dha në mënyrë të paligjshme një telefon Veliajt, u dënua me 5 vjet dhe me dënim përfundimtar prej 3 vjet e 4 muajsh. Edhe në këtë rast gjykata vendosi pezullimin e dënimit dhe e vendosi atë në shërbim prove për 4 vjet.
Gjykata shpalli të pafajshëm biznesmenin e ndërtimit, Fatmir Bektashi dhe kompaninë e tij Kontakt sh.p.k. E pafajshme u shpall gjithashtu Flutura Xhani, e akuzuar nga SPAK për deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Veliaj, Xoxa dhe 19 të pandehur të tjerë po gjykohen në një çështje të ndarë përmes procedurës së zakonshme.






