Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka deklaruar se nuk do të firmosë dekretin për rritjen e pagave dhe pagesën e prapambetur për gjyqtarët dhe prokurorët, pavarësisht vendimit të Këshillit të Shtetit, gjykatës më të lartë administrative në Itali, që i kërkon qeverisë të zbatojë vendimin brenda 31 janarit 2027.
“Unë nuk kam ndërmend të ndryshoj qëndrim, sepse nuk do të dija si t’ua justifikoja këtë italianëve, duke pasur parasysh të gjitha problemet me të cilat po përballemi”, u shpreh Meloni gjatë një deklarate në Bruksel, në kuadër të samitit të BE-së.
Sipas qeverisë, zbatimi i vendimit do të kushtonte rreth 1 miliard euro, ndërsa për secilin magjistrat pagesat e prapambetura dhe rritja mund të arrijnë deri në 100 mijë euro. Meloni argumenton se gjyqtarët kanë tashmë paga mesatare mbi 137 mijë euro bruto në vit.
Këshilli i Shtetit ka pranuar kërkesën e Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve dhe i ka kërkuar qeverisë të nxjerrë dekretin përkatës. Nëse ekzekutivi nuk e zbaton vendimin, gjykata mund të ndërhyjë përmes një komisioneri që do të kryejë procedurën në vend të qeverisë.
Përplasja është thelluar edhe pas vendimit të Melonit për të mos marrë pjesë në kongresin e Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve, që zhvillohet në Napoli.














