Analisti Adri Nurellari, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka komentuar vizitën e Komisioneres së Zgjerimit, Marta Kos, në Tiranë dhe ecurinë e procesit të integrimit europian.
Nurellari theksoi se qeveria e Edi Ramës po përfiton nga një koniunkturë e favorshme gjeopolitike për përshpejtimin e negociatave, por paralajmëroi se kjo periudhë e ‘muajit të mjaltit’ me Brukselin do të pasohet nga kërkesa gjithnjë e më të forta për rezultate konkrete.
Sipas Nurellarit, raporti i progresit evidenton një hendek të madh mes përmbushjes formale të procedurave dhe zbatimit të tyre në realitet. Ai tha se shqetësimi i Bashkimit Europian është që Shqipëria të mos përsërisë përvojën e disa vendeve anëtare, ku pas përmbushjes së kritereve për anëtarësim ka pasur regres në zbatimin e standardeve dhe reformave.
Analisti përmendi Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Sllovakinë dhe Poloninë, duke theksuar se kjo përvojë e bën Brukselin më të kujdesshëm dhe shton frikën për përsëritjen e një rasti si ai i Viktor Orbanit apo i Borisovit.
‘Padyshim edhe në raportin e progresit është vënë re hendeku i madh mes përmbushjes formale të procedurave dhe zbatimit të tyre në realitet.
Frika më e madhe e Bashkimit Europian, e dëshmuar edhe nga përvoja e vendeve të tjera që janë anëtarësuar, është se pasi përmbushen formalisht kriteret procedurale, institucionale dhe acquis communautaire, pas anëtarësimit mund të ketë tërheqje nga zbatimi i tyre dhe regres.
Këtë e kemi parë në Bullgari, Rumani, Hungari, Sllovaki dhe Poloni. Kjo i bën ata më të kujdesshëm, që të mos përsëritet një rast i Orbanit të ri apo i Borisovit të ri.
Prandaj, përtej vullnetit, dëshirës dhe koniunkturës shumë të favorshme gjeopolitike që ka Shqipëria, e cila nuk lidhet me meritat e kësaj qeverie, por me luftën heroike të ukrainasve dhe ndryshimet gjeopolitike që kanë sjellë në vullnetin e Brukselit për të përshpejtuar hapat dhe për të rikthyer ëndrrën e anëtarësimit në BE, ekziston edhe frika se këto përmbushje mund të bëhen vetëm formalisht, sa për sy e faqe. Prandaj, sa më shumë thellohet ky hendek...
Me sa duket, edhe kur përmenda hendekun, pikërisht këtë kisha parasysh: nga njëra anë është shtuar vullneti koniunktural gjeopolitik për të përshpejtuar anëtarësimin e Shqipërisë, duke kapërcyer barriera, kritere dhe standarde që vendeve të tjera u është dashur t'i përmbushin. Këtë po e shohim edhe te udhërrëfyesi i Komisionit Europian, i cili rekomandoi Këshillit të Europës nisjen, brenda vitit 2027, të hartimit të traktatit të aderimit. Një proces që Mali i Zi e nisi sivjet. Pra, kjo është trysnia e brendshme e BE-së dhe kam përshtypjen se do të shtohen edhe tonet, sepse logjika e tyre është: po të japim shans, por duam edhe rezultate të prekshme.
Absolutisht, unë nuk e vë në dyshim që kjo fazë mund të jetë, si të thuash, një muaj mjalti i qeverisë, sidomos me kapitujt që janë relativisht dytësorë. Për shembull, përmbyllja e kapitullit të fundit për industrinë, në një vend ku industria është shkatërruar, deformuar ose minimizuar për shumë arsye: mungesa e politikave inkurajuese, narko-euroja që ka masakruar fuqinë eksportuese, çmimet e larta të lëndëve të para, karburanti që është ndër më të shtrenjtët në Europë etj.
Por kur të vijmë te themelet, te kapitulli 23, apo te kapitulli 17 për mjedisin, aty do të shtrëngohet rripi. Prandaj, kam përshtypjen se, përtej fazës së parë të dhënies së një shansi, të këtij ‘muaji të mjaltit’, do të shtohet gjithnjë e më shumë kërkesa për llogari për shansin e dhënë. Sa më shumë të hyjmë në këtë fazë kritike, mendoj se edhe gjuha nuk do të mbetet përtej toneve diplomatike dhe atyre të zakonshme, por do të shohim më shumë presion, sa më shumë t'i afrohemi kapitujve delikatë dhe fazës nevralgjike të mbylljes së kapitujve.’, u shpreh Adri Nurellari në SYRI TV.
© SYRI.net