Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar shqyrtimin në Kuvend të aktit normativ të qeverisë për ndryshimet në ligjin “Për tubimet”, të njohur si paketa antidhunë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e një pjese të tij.
Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se parlamenti nuk mund të shqyrtojë dhe të votojë një akt normativ, një pjesë të të cilit e ka pezulluar Gjykata Kushtetuese. Sipas tij, një veprim i tillë cenon parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Ai argumentoi se aktet normative të qeverisë miratohen nga Kuvendi në tërësi dhe nuk mund të ndryshohen nen për nen nga deputetët. Për këtë arsye, sipas Berishës, pas pezullimit të nenit 5, pika 2, nga Gjykata Kushtetuese, akti nuk mund të kalojë për votim në parlament.
“Dekreti nuk mund të votohet që në këtë moment që Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar një nen të saj, ai nuk kalon në parlament”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së kritikoi gjithashtu atë që e cilësoi si armiqësi ndaj protestuesve, duke komentuar edhe rastin e deputetes që kishte denoncuar një protestuese pasi ishte goditur me vezë.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese vendosi më 26 nëntor pezullimin e zbatimit të dispozitës që parashikonte gjoba administrative për bllokimin e rrugëve gjatë protestave, ndërsa vendosi që çështja të shqyrtohet me përparësi.












