Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e studentëve, duke pezulluar një pikë të paketës anti-dhunë të miratuar nga Këshilli i Ministrave më 28 tetor, që parashikon gjoba për protestuesit që bllokojnë rrugët. Në mbledhjen e të enjtes, Kushtetuesja ka vendosur të pezullojë pikën 2 të nenit 5 të Aktit Normativ të paketës anti-dhunë për protestat, në të cilën parashikohet gjobitja me 5 mijë lekë, çdo ditë, për çdo person që merr pjesë në bllokimin e rrugës, pavarësisht kohëzgjatjes së protestës. Gjyqtarët e Kushtetueses arsyetojnë se formulimi i kësaj dispozite është i përgjithshëm dhe nuk bën dallim mes tubimeve të autorizuara dhe atyre të tjera, duke krijuar paqartësi që mund të sjellin pasoja serioze për liritë dhe të drejtat kushtetuese.