Autoritetet spanjolle kanë zbuluar dhe shkatërruar një plantacion të madh të mbjellë me marihuanë në një zonë pyjore, ndërsa në kuadër të hetimeve janë identifikuar edhe dy shtetas shqiptarë, të dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari ilegale. Sipas gazetës spanjolle La Vanguardia, operacioni policor është zhvilluar në provincën Huesca, ku autoritetet kanë zbuluar një plantacion të fshehur në një zonë pyjore pranë Sabiñánigos. Sipas mediave spanjolle, gjatë ndërhyrjes, policia ka sekuestruar rreth shtatë tonë bimë kanabisi, si dhe 227 kilogramë lule marjuane, duke e cilësuar rastin si një nga zbulimet e rëndësishme të këtij lloji në rajon.