Këshilli Bashkiak Sarandë rrëzon Paketën Fiskale, mbeten në fuqi tarifat e vjetra. Këshilli Bashkiak i Sarandës zhvilloi të enjten, më 26 nëntor, mbledhjen e radhës me tetë pika në rendin e ditës.
-Projektvendim për përdorimin e fondit të kushtëzuar për ndihmën ekonomike, deri në 6%, për muajin tetor 2026. Projektvendim për dhënien e ndihmës ekonomike nga të ardhurat e Bashkisë për muajin tetor 2026.
-Projektvendim për miratimin e nivelit të taksave dhe tarifave vendore të Bashkisë Sarandë për vitin 2027.
-Projektvendim për nisjen e procedurës dhe miratimin në parim të vlerës financiare të shpronësimit të pronave private që preken nga projekti për ndërtimin, asfaltimin dhe rrjetin inxhinierik të rrugës nr. 1 në Lëkurës, Sarandë, loti 1.
-Projektvendim për miratimin e planit të aktiviteteve të Këshillit Bashkiak për periudhën janar–dhjetor 2027.
-Projektvendim për korrigjimin e gabimeve materiale.
-Raport mbi ecurinë e sezonit turistik 2026 dhe problematikat e vërejtura.
-Raport mbi shërbimin veterinar dhe tregjet publike të Bashkisë Sarandë.
Diskutimet në mbledhje u përqendruan te pika e tretë, paketa fiskale për vitin 2027. Projektvendimi përcaktonte nivelin e taksave dhe tarifave vendore për vitin e ardhshëm, përfshirë tarifën e shërbimeve publike për familjet dhe bizneset, taksën e fjetjes në hotel dhe tarifat e parkimit.
Përpara votimit pati një pushim, por këshilltarët nuk arritën mirëkuptim për ta votuar së bashku paketën. Dy këshilltarë të Partisë Demokratike u larguan nga mbledhja. Kur projektvendimi u hodh në votim, ai nuk mori shumicën e kërkuar për miratim.
Si rrjedhojë, taksat dhe tarifat vendore të zbatuara në vitin 2026 do të vijojnë të zbatohen edhe në vitin 2027, deri në miratimin e një pakete të re fiskale. Saranda Web