Apeli: Naim Murseli e mbajti për krahu Liridonën në mënyrë që vrasësi ta qëllonte saktë
Pas vrasjes së Liridona Ademajt, tashmë tre të dënuarit nuk treguan asnjë shenjë pendimi, madje edhe frekuentuan lokalet për argëtim. Në aktgjykimin e Apelit, ndër të tjera, thuhet se Naim Murseli e ka mbajtur për krahu bashkëshorten Liridona Ademaj, në mënyrë që vrasësi, Granit Plava, ta qëllojë saktë. Si arsye për vërtetim të dënimeve të Themelores, Apeli ka përmendur edhe kryerjen e krimit në prani të fëmijëve
Dëshira e madhe për ta vrarë, planifikimi i detajuar i vrasjes dhe kryerja e krimit në prani të dy fëmijëve, janë disa nga arsyet që shtynë Gjykatën e Apelit të vërtetojë dënimet për tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt më 2023.
Apeli këtë javë ka konfirmuar dënimet me burgim të përjetshëm për ish-bashkëshortin e Liridonës, Naim Murseli, dhe për Granit Plavën, e po ashtu edhe atë me 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën.
Në aktgjykimin e gjykatës flitet edhe për mospendimin e të akuzuarve pas kryerjes së krimit.
“Sjelljet e të akuzuarve para dhe pas kryerjes së veprës penale, ku para kryerjes së veprës penale të akuzuarit e bëjnë planifikimin e detajuar se si ta privojnë nga jeta tani të ndjerën, ndërsa, pas kryerjes së veprës penale, të akuzuarit vazhdojnë me aktivitetet e tyre edhe të argëtimit, duke shkuar në lokale, pra, pa treguar aspak dhimbje për tani të ndjerën”, thuhet në aktgjykim.
Në dokument përshkruhet edhe momenti i vrasjes. Në të thuhet se Murseli e ka mbajtur Liridonën për krahu, në mënyrë që Granit Plava ta qëllonte me armë.
“Në momentin kur ka shtënë me armë i akuzuari Granit Plava, i njëjti, pra, i akuzuari Naim Murseli, e ka mbajtur me dorë tani të ndjerën L. A. dhe atë, duke e kapur për krahu, krejt kjo me qëllim që e shtëna me armë të jetë e saktë, ku, edhe i akuzuari Granit Plava me një të shtënë e ka privuar nga jeta tani të ndjerën L. A., e që me këtë, tek ky i akuzuar, pra, i akuzuari Naim Murseli, plotësohet edhe elementi i dinakërisë, ngase, i akuzuari në fjalë, përveç që e ka sjellë tani të ndjerën në vendin e ngjarjes, të njëjtën edhe e ka mbajtur për krahu, me qëllim që i akuzuari Granit Plava ta realizojë vrasjen në mënyrë më të sigurt dhe të arrijë qëllimet e tij”, thuhet në aktgjykim.
Për të pandehurin Kushtrim Kokalla, shkalla e dytë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë dhe të përfaqësuesit të familjes së Liridona Ademajt që t’i shqiptohet burgim i përjetshëm. Në arsyetim thuhet se ligji parasheh dënim më të butë për ndihmë në kryerjen e veprës penale.
“Në rastet e ndihmës, kryerësit e veprës penale i shqiptohet dënim më i butë se sa kryerësit të veprës penale, prandaj, në këtë drejtim, gjykata e shkallës së parë, edhe nuk ka pasur mundësi që të akuzuarit Kushtrim Kokalla t’i shqiptojë dënim me burgim të përjetshëm, për çka, edhe u refuzuan ankesat e Prokurorisë dhe përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar si të pabazuara”, thuhet në aktgjykim.
Në aktgjykimin e 21 prillit të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Naim Murselin dhe Granit Plavën me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, pasi u shpallën fajtorë për vrasjen e Liridona Ademajt.
Dënimet tash janë vërtetuar edhe nga Apeli.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
“E gjeta të fortë”, Ismaili viziton Kadri Veselin në Hagë: Fokusi ynë te apeli
Kuvendi i Kosovës ndan buxhetin, 61 mijë euro për komisionin hetimor për rastin e Arlinda Zekajt
Kurti zbulon kur do të prodhohen municionet e para në Kosovë
- 20:01 Zgjedhjet presidenciale në Serbi, kush është kandidati i Listës Studentore Radomir Saiçic
- 19:56 “E gjeta të fortë”, Ismaili viziton Kadri Veselin në Hagë: Fokusi ynë te apeli
- 19:54 Erdogan do të kandidojë përsëri për president të Turqisë
- 19:45 Britania përgatitet për një luftë të mundshme me Rusinë, thërret 100 mijë rezervistë ushtarakë për mobilizim
- 19:35 Presidenti Begaj në Strugë: Ruajtja e gjuhës shqipe dhe trashëgimisë kulturore, thelbësore për identitetin kombëtar
- 19:08 Kuvendi i Kosovës ndan buxhetin, 61 mijë euro për komisionin hetimor për rastin e Arlinda Zekajt