Pjesët e para të takimeve të sotme të Europa League kanë dhënë një ndërprerje të papritur dhe disa rezultate të hapura. Në Batum të Gjeorgjisë, ndeshja mes Besiktas dhe Hapoel Beer Sheva u ndërpre pas një përplasjeje të dhunshme në shkallët e stadiumit mes dy tifozerive. Sipas raportimeve, lojtarët e të dyja skuadrave u drejtuan për në dhomat e zhveshjes, ndërsa sfida luhej në fushë asnjanëse. Ende nuk dihet nëse takimi do të rifillojë më vonë gjatë mbrëmjes, pasi situata në tribunë kërkonte ndërhyrje për të rivendosur rendin.
Autogoli i Maignan në Pire
Në Pire, Olympiacos po kryesonte 1-0 ndaj Milanit në fund të pjesës së parë. Sfida u zhbllokua në minutën e 31-të, kur Lorenzo Pirola goditi me kokë dhe topi u përplas fillimisht në traversë e më pas në trupin e Mike Maignan, duke përfunduar në rrjetë.
Rezultatet e tjera të pjesëve të para
Celta Vigo po fitonte 1-0 ndaj Bournemouth, me golin e Iago Aspas. Skuadra angleze mbeti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Bafode Diakite, për një ndërhyrje të rrezikshme me takë ndaj kundërshtarit.
Plzen po kryesonte 3-0 ndaj Benfica, ndërsa Leverkusen po udhëhiqte 0-2 ndaj Dinamo Zagreb. Marseille po fitonte 1-0 ndaj Levski Sofia.
