Mijëra banorë dhe dhjetëra biznese në disa fshatra të Lezhës vijojnë të jenë pa energji elektrike që prej orës 10:00 të paradites së sotme.
Ndërprerja e furnizimit me energji ka prekur fshatrat Kolsh, Manati, Tresh, Spiten, Markatomaj, Zejmen, Gajush dhe Pllanë, duke krijuar vështirësi të shumta për banorët dhe subjektet tregtare.
Mungesa e energjisë elektrike prej disa orësh ka penguar zhvillimin normal të aktiviteteve të përditshme të familjeve, ndërsa bizneset janë përballur me vështirësi në ushtrimin e aktivitetit të tyre.
Sipas OSHEE-së, shkak i ndërprerjes së furnizimit me energji është një defekt në rrjetin elektrik. Grupet e punës janë angazhuar për riparimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit në zonat e prekura.
Megjithatë, deri në këto momente, energjia elektrike nuk është rikthyer, ndërsa ende nuk është bërë i ditur një afat konkret për normalizimin e situatës.