EMRI/ Dhunoi me grushte dhe bombol gazi gardianin në burgun e Burrelit, autori i dënuar për vrasjen

EMRI/ Dhunoi me grushte dhe bombol gazi gardianin në burgun e Burrelit, autori i dënuar për vrasjen

20:11, 26/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një incident i dhunshëm është regjistruar në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, ku i dënuari Dritan Ymeri dyshohet se ka sulmuar fizikisht një punonjës të policisë së burgjeve.

Ymeri, i dënuar me 18 vite burg për vrasjen e mjekut Ilir Aliaj në Shkodër, dyshohet se e ka goditur gardianin fillimisht me grushte dhe më pas me një bombol të vogël gazi.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kaluar, gjatë turnit të tretë. Punonjësi i policisë së burgjeve, i identifikuar me inicialet A. B., ka mbetur i dëmtuar dhe është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore.

Deri më tani, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka dhënë një njoftim zyrtar për incidentin dhe as nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi rrethanat në të cilat ndodhi sulmi.

Dritan Ymeri është personi që u dënua me 18 vite burg për vrasjen e mjekut Ilir Aliaj, ngjarje e ndodhur në Shkodër më 30 korrik 2017. Viktima dhe autori ishin fqinj dhe konflikti mes tyre kishte nisur për shkak të disa punimeve që mjeku po kryente në banesën e tij.

Sipas dosjes së hetimit, mosmarrëveshjet kishin të bënin me rehabilitimin e shkallëve të godinës trekatëshe ku banonin të dy. Ymeri kundërshtonte punimet dhe natën e ngjarjes kishte shkuar në vendin ku ato po kryheshin, duke nisur t'i prishte.

Zhurma e krijuar zgjoi mjekun Ilir Aliaj, i cili doli për t'i kërkuar llogari fqinjit të tij. Debati mes tyre u përshkallëzua dhe Ymeri e qëlloi mjekun dy herë me pistoletë. Njëri prej plumbave e goditi në zonën e syrit dhe i shkaktoi dëmtime fatale në tru, ndërsa plumbi tjetër e kapi në këmbë.

Sipas prokurorisë, vrasja ndodhi në prani të familjarëve të mjekut. Pas të shtënave, Ymeri u largua nga vendngjarja, por disa orë më vonë u vetëdorëzua në Policinë e Shkodrës.

Gjatë procesit gjyqësor, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 20 vite burgim. Nga ana tjetër, Ymeri kërkoi rrëzimin e vendimit të shkallës së parë dhe rigjykimin e çështjes. Në përfundim, gjykata vendosi dënimin e tij me 18 vite burg.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco