Vendosni fjalën kyçe....

FIFA viktima më e fundit nga sulmet kibernetike


FIFA u bë objektiv i një sulmi kibernetik, gjatë të cilit hakerët arritën të aksesonin “informacione personale dhe të biznesit”, bëri të ditur të enjten organizata drejtuese e futbollit në një deklaratë.

Një zëdhënës tha se FIFA po bashkëpunon me organet ligjzbatuese dhe autoritetet, pa dhënë detaje të mëtejshme, shkruan Bloomberg.

Sipas një personi të njohur me çështjen, sulmi ndodhi pasi hakerët u paraqitën si punonjës të organizatës, dhe jo përmes një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë në sistemet e saj.

FIFA dënoi “përvetësimin dhe publikimin e paligjshëm të informacionit, veçanërisht të të dhënave personale”, thuhet në deklaratë.

Organizata me seli në Zyrih është institucioni më i fundit që bie viktimë e një sulmi kibernetik, pas një serie incidentesh që kanë përfshirë institucione dhe biznese evropiane. Javën e kaluar, Komisioni Evropian bëri të ditur se ishte sulmuar përmes keqpërdorimit të një mjeti të inteligjencës artificiale, duke rezultuar në vjedhjen e të dhënave personale.

Nuk është e qartë nëse inteligjenca artificiale është përdorur edhe në sulmin ndaj FIFA-s. Disa kompani britanike të shitjes me pakicë kanë pësuar shkelje të sigurisë kibernetike këtë vit, ndërsa muajt e fundit hakerët kanë shënjestruar sistemet e ftohjes që përdoren në supermarketet në të gjithë Evropën.

Organizata po përballet ende me pasojat e përpjekjes së braktisur dhe të debatueshme të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për të krijuar një entitet tregtar që do të pranonte investime të jashtme dhe do të organizonte evente si turneu i Kupës së Botës.

Hakerët nuk kanë pasur akses në dokumentet që lidhen me propozimin, të quajtur FIFA Forward Enterprise, tha personi i njohur me çështjen.