VIDEO/ Egnatia përmbys rezultatin në fund, fiton 2-1 ndaj Linkoln dhe merr suksesin e parë në Conference League

VIDEO/ Egnatia përmbys rezultatin në fund, fiton 2-1 ndaj Linkoln dhe merr suksesin e parë në Conference League

20:39, 26/11/2026

Egnatia ka regjistruar fitoren e parë në fazën e kampionatit të Conference League, duke triumfuar me rezultatin 2-1 ndaj Linkoln Red Imps të Gjibraltarit. Kampionët e Shqipërisë arritën të përmbysnin situatën në një ndeshje që u bë dramatike në minutat e fundit, duke siguruar tri pikë të rëndësishme në arenën evropiane.

Rrogozhinasit e nisën takimin me dominim dhe krijuan disa mundësi të mira për të kaluar në avantazh. Që në minutat e para, Adjesa dhe Albaneze provuan me goditje me kokë, por portieri i Linkolnit u përgjigj me pritje të mira. Në minutën e 7-të, Albaneze nuk arriti të shfrytëzonte një tjetër mundësi, ndërsa në minutën e 9-të Gruda, pas një pasimi në thellësi nga Aleksi, tentoi të kalonte topin mbi portierin, por nuk e dërgoi dot në kuadratin e portës.

Egnatia vazhdoi presionin dhe në minutën e 22-të Loukili iu afrua golit, por një mbrojtës kundërshtar ndali topin përpara se të kalonte vijën fatale. Në minutën e 33-të, Adjesa provoi me një goditje të fortë, ndërsa Gruda nuk arriti të përfitonte nga topi i kthyer.

Rasti më i mirë i pjesës së parë erdhi në minutën e 41-të, kur Kryeziu goditi fort, portieri priti, ndërsa Haime në vazhdim goditi shtyllën. Pak para pushimit, Albaneze shpërdoroi një tjetër mundësi të pastër, duke e dërguar topin mbi traversë.

Pas pjesës së parë pa gola, Egnatia gjeti avantazhin menjëherë pas rifillimit. Në minutën e 47-të, Fernando depërtoi nga krahu i majtë dhe pasoi në shtyllën e dytë, ku Albaneze devijoi topin në rrjetë për 1-0.

Rrogozhinasit patën edhe raste të tjera, por në minutën e 79-të u ndëshkuan nga një kundërsulm i shpejtë, me Idrisin që mposhti Dajsinanin dhe barazoi shifrat në 1-1.

Reagimi i Egnatias ishte i menjëhershëm. Vetëm dy minuta më vonë, në të 81-ën, një pasim i Ajetit në krahun e majtë gjeti Fernandon në zonë dhe ky i fundit nuk gaboi, duke realizuar golin e fitores për 2-1.

Kështu, Egnatia siguron suksesin e parë në fazën e kampionatit të Conference League, në një sfidë ku dominimi, rastet e shumta dhe reagimi në momentin vendimtar i dhanë kampionëve shqiptarë tri pikët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco