“Buxheti 2027” dhe “Paketa fiskale” pritet votimi në Kuvend/ Debate pas vendimit të Kushtetueses, opozita kërkon ndalimin e shqyrtimit, PS: Është pezulluar vetëm një pikë e aktit normativ

26/11/2026 19:22

Kuvendi është mbledhur këtë të enjte në një seancë plenare, ku pritet të votohen projektbuxheti i vitit 2027 dhe paketa fiskale, ndërsa opozita ka paraqitur 40 amendamente.

Në rendin e ditës janë përfshirë edhe akti normativ për tubimet dhe gjobat ndaj protestuesve, si dhe lirimi nga detyra i kreut të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Nga 40 amendamentet e propozuara nga opozita, 28 janë paraqitur nga Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë ka paraqitur 12 amendamente.

Seanca është shoqëruar deri më tani me debate mes mazhorancës dhe opozitës, të përqendruara kryesisht te akti normativ për tubimet, veprimet e policisë gjatë protestave dhe kërkesa e demokratëve për zgjatjen e afatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.

Gjatë diskutimeve në Kuvend ka pasur përplasje mes deputetëve PD-së dhe PS-së, teksa kreu i demokratëve ka marrë disa herë fjalën në foltore.

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, dhe deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, janë përfshirë në një debat gjatë seancës së sotme plenare të Kuvendit, ku po diskutohen aktet normative për tubimet dhe dëmet e shkaktuara gjatë protestave.

Demo ngriti akuza për përdorimin e minorenëve në akte dhune gjatë protestave, ndërsa pyeti nëse Partia Demokratike qëndron pas organizimit të grupeve të dhunshme. Korreshi iu përgjigj duke i kërkuar ministrit që, nëse disponon informacione për persona të përfshirë në akte dhune, të procedojë me arrestimin e tyre.

Po ashtu vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesshëm të aktit normativ për protestat ka shkaktuar debate në seancën plenare të Kuvendit mes deputetes demokrate Jorida Tabaku dhe deputetit socialist Ulsi Manja.

Tabaku i kërkoi nënkryetares së Kuvendit, e cila drejtonte seancën, të ndërpriste diskutimet dhe të mos hidhte në votim aktet, duke argumentuar se Parlamenti duhet të respektojë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.

Ndaj kërkesës së deputetes demokrate reagoi deputeti socialist Ulsi Manja, i cili argumentoi se Kuvendi ka kompetencën kushtetuese për të shqyrtuar aktin normativ të miratuar nga Këshilli i Ministrave brenda afatit 45-ditor.

Kryedemokrati Sali Berisha dhe deputeti socialist Erion Braçe janë përfshirë në replika të ashpra gjatë seancës. Duke e quajtur Berishën me ironi një ‘luan’, Braçe i përmendi ish-kryeministrit thirrjet e protestuesve në Tiranë ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’.

Nga ana tjetër, Berisha e ‘këshilloi’ Braçen që të veshë fustanin e Elisa Spiropalit. Kryedemokrati tha se Qeveria po ndryshon formën e trotuareve, vetëm që protestuesit sipas tij, mos të përdorin pllakat e trotuareve për të sulmuar institucionet.

  Braçe në Kuvend: Buxheti 2027 nuk cenon deficitin, të ardhurat 908 mld dhe shpenzimet 976 mld lekë. Berisha: Po rëndoni shqiptarët dhe bizneset

“Nuk i kufizoni dot të drejtat e qytetarëve me akte normative”/ Berisha nga Kuvendi: Anulojeni, mos ja lini dhe këtë turp të madh parlamentit

 

Top Channel