Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi, ka mbrojtur projektbuxhetin e vitit 2027, duke e cilësuar atë si një buxhet social që reflekton rritjen dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Socialisti u shpreh se buxheti prej 10 miliardë eurosh mundëson një sërë masash në mbështetje të qytetarëve, nga ulja e TVSH-së për 54 produkte ushqimore bazë, te mbështetja për pensionistët, studentët dhe familjet në nevojë. Ai komentoi edhe propozimet e opozitës për rritjen e pensioneve dhe pagave, duke i cilësuar ato si të papërgjegjshme dhe pa mbështetje financiare.
Opozita thotë të dyfishohen pensionet, pensioni minimal të jetë të paktën 200 euro në muaj, pagat e ulëta të rriten me 50%, pagat e mesme me 30%, minimumi jetik 200.000 lekë e masa të tjera. Atëherë, ato që përmendët ju përballë këtyre propozimeve?
Eduard Shalsi: Më bëjnë të qesh sepse nuk kanë as laps, as letër dhe nuk dinë të kalkulojnë se nga do të dalin këto para e si do të shpenzohen këto para. Por ato e kanë provuar në fakt se gjatë kohës që qeverisën, në vitin 2013 e lanë Shqipërinë në buzë të humnerës me një mal me borxhe. Borxhi publik tashmë është rreth 52%, ndërkohë që borxhi i deklaruar atëherë ishte rreth 85%, por kishte edhe një borxh të fshehur.
Pra është e lehtë për një forcë politike që nuk di se ku gjendet të lëshojë të tilla shashka krejtësisht të papërgjegjshme. Mundohen të gënjejnë njerëzit që janë mjaftueshmërisht të zgjuar dhe e dinë se kush ka bërë, kush bën dhe kush i del zot.
Edhe ne do të donim t’i barazonim pensionistët shqiptarë me pensionistët europianë, por kini parasysh se një fëmijë që është pesë vjeç nuk mund të bëhet 10 vjeç pa u bërë gjashtë, shtatë, tetë. Edhe ekonomia shqiptare tashmë po i afrohet një prodhimi kombëtar prej 30 miliardësh. Pra performanca e shëndetshme e ekonomisë na lejon që tashmë të marrim edhe këto masa të cilat jam i bindur se do të kenë një impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët shqiptarë.
