Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesshëm të aktit normativ për protestat ka shkaktuar debate në seancën plenare të Kuvendit mes deputetes demokrate Jorida Tabaku dhe deputetit socialist Ulsi Manja. Tabaku i kërkoi nënkryetares së Kuvendit, e cila drejtonte seancën, të ndërpriste diskutimet dhe të mos hidhte në votim aktet, duke argumentuar se Parlamenti duhet të respektojë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. “Gjykata Kushtetuese sapo ka vendosur që këto akte janë pezulluar. Është në nderin e këtij Kuvendi që të mos çojmë përpara diskutimet për dy akte që janë të pezulluara në Gjykatën Kushtetuese. Për këtë arsye ju kërkuam që në fillim ndryshimin e rendit të ditës, ju kërkuam që të mos miratohen në Kuvend, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese po i shqyrtonte”, u shpreh Tabaku.