Policia ndërmori të enjten një operacion të madh në kuadër të një hetimi për dyshimet mbi keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian, të destinuara për qendrat e automatizuara të riciklimit, të furnizuara nga kompania e pajisjeve të riciklimit TEXAN.
Sipas burimeve, operacioni po zhvillohet nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme të Policisë, me urdhër të Prokurorisë Publike Evropiane (EPPO). Oficerët kanë kryer kontrolle në banesa dhe kanë arrestuar katër persona, në bazë të urdhër-arresteve të lëshuara nga prokurorët evropianë. Gjashtë prokurorë grekë janë thirrur gjithashtu për të ndihmuar në hetim, shkruan Ekathimerini.
Policia arrestoi pronarët e TEXAN, Apostolos dhe Panagiotis Mourgos, botuesin Yiannis Kourtakis, si dhe kryetarin dhe drejtorin ekzekutiv të Sistemit Kombëtar Kolektiv të Shpërblimit për Riciklimin, Pavlos Ravanis.
Të katër përballen me akuza për krijimin e një organizate kriminale, bashkëpunim në shpërdorimin e besimit dhe pastrim parash. Ata pritet të dalin para prokurorit të premten.
EPPO po heton keqmenaxhimin e mundshëm të fondeve të BE-së që prej vitit 2025. Gjatë verës së kaluar, kontrollet në tre ambiente në rajonin e Atikës kishin në shënjestër të dhënat dixhitale, kontratat e prokurimit dhe marrëveshjet mes TEXAN dhe kompanive të komunikimit.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu nëse është ushtruar ndikim i papërshtatshëm për të siguruar kontrata për TEXAN.
Një auditim zbuloi se kioskat e riciklimit kushtonin 300 mijë euro secila, ndërsa vlera e tyre e vlerësuar në treg ishte 66 mijë euro. TEXAN e kundërshton këtë krahasim, duke iu referuar ofertave konkurruese dukshëm më të larta.