Ramabaja përmend Tahir Zemajn: Ishte pjesë e rrethimit ku u vranë Rexhep Mala e Nuhi Berisha
Analisti Sadri Ramabaja ka ngritur pretendime për përfshirjen e shqiptarëve, të veshur me uniforma të policisë serbe, në operacionet policore gjatë të cilave u vranë veprimtarët e çështjes kombëtare, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, si dhe Afrim Zhitia e Fahri Fazliu.
Duke folur në Debat Plus në TV Dukagjini, Ramabaja ka thënë se, sipas tij, këta veprimtarë nuk janë vrarë nga forcat serbe, por në rrethimin e tyre kanë marrë pjesë edhe shqiptarë që shërbenin në policinë e asaj kohe.
“E kam fjalën për Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun... nuk i ka vrarë Serbia. Dhe kjo është fshehje, ky mos trajtim si duhet i këtyre temave. I ka vra policia e Kosovës, dhe nuk janë përgjigj, për fat të keq kanë qenë gjithë shqiptarë që kanë marrë pjesë në rrethimin e tyre. Natyrisht, në uniformën e policisë serbe”, ka deklaruar Ramabaja.
Ai ka përmendur edhe vrasjen e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, duke shtuar se edhe në rrethimin e tyre kanë marrë pjesë shqiptarë. Si shembull, Ramabaja ka përmendur Tahir Zemajn, për të cilin ka thënë se ishte suspenduar pasi kishte qenë pjesë e rrethimit të Malës dhe Berishës.
“Shqiptarët i kanë vrarë edhe Rexhep Malën e Nuhi Berishën, edhe Afrim Zhitinë e Fahri Fazliun. Ka fakte... Për shembull, Tahir Zemaj është suspenduar sepse ka qenë pjesë e rrethimit të Malës e Berishës”, ka thënë ai.














