Në Prishtinë është mbajtur edicioni i dytë i “Dutch Business Day 2026”, i cili ka mbledhur rreth 80 përfaqësues të bizneseve, partnerë dhe politikëbërës.

Në fokus të këtij takimi ishte bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Holandës, me theks të veçantë në mundësitë për investime të huaja në Kosovë.


Në mesin e pjesëmarrësve ishin ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe ambasadorja e Holandës në Kosovë, ndërsa në kuadër të programit u mbajt edhe një panel diskutimi për investimet në vend.

Në një prononcim për Telegrafin, ministrja Kusari-Lila theksoi rëndësinë e stabilitetit politik, sigurisë dhe mbështetjes institucionale për investitorët holandezë.

“Është shumë e rëndësishme që bizneset holandeze të dinë se janë në një shtet me parashikueshmëri politike, me stabilitet të sigurisë, me rend dhe ligj dhe ka mbështetje prej nivelit më të lartë institucional për investimet e tyre”, u shpreh Kusari-Lila.

Ndërkaq, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Pllana Ventures, Mentor Pllana, në një prononcim të veçantë për Telegrafin, foli për potencialin e Kosovës për prodhim dhe eksport në tregun evropian.

“Kështu, Austria, Belgjika, Holanda, sot po shohim potencialin në Kosovë dhe po vijmë në Kosovë dhe mendoj që Kosova është gati me eksportu dhe me prodhu për Evropën e për botë.”, deklaroi Pllana.

Edicioni i dytë i “Dutch Business Day” shërbeu si platformë për diskutimin e mundësive të investimit dhe forcimin e partneriteteve ekonomike ndërmjet bizneseve kosovare dhe holandeze./Telegrafi/