Rasti i trajtuar në emisionin “Stop”, këtë të enjte, më 26 nëntor, lidhet me familjen Sotaj nga fshati Bestrovë e Vlorës, e cila pretendon se po i bëhet padrejtësi me aplikimin për “Paketën e Maleve”.
Familja thotë se e posedon parcelën prej rreth 35 vitesh dhe disponon edhe Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi, por pa e pasur ende të certifikuar.
Problemi nisi kur mësuan se e njëjta parcelë i ishte dhënë edhe një shtetasi tjetër nga fshati Kërkovë, Zani Haxhiraj. Fani Sotaj aplikoi për t’u njohur si posedues, por mori përgjigje skualifikuese.
“Paketa e Maleve” synon të nxisë zhvillimin turistik në zonat malore, duke u dhënë mundësi edhe personave, që i posedojnë tokat prej të paktën 10 vitesh, apo i kanë trashëguar, por nuk disponojnë dokumente pronësie.
Në këtë rast, Njësia Administrative Qendër sqaron se për të njëjtën parcelë janë bërë dy aplikime dhe, meqenëse në dokumentacionin e bashkisë, toka rezulton kullotë shtetërore, procedura është pezulluar deri në sqarimin e pretendimeve.
Administratori Genard Fegaj shpjegon se bashkia nuk mund të përcaktojë se cila palë e posedon tokën, ndërsa nënkryetarja e Bashkisë Vlorë dhe kryetarja e komisionit, Klea Lalo, thotë se zgjidhja duhet kërkuar në gjykatë.
Sipas saj, në bazë të Ligjit 20/2025, kur gjatë procedurës paraqitet një pretendim i dytë për të njëjtën parcelë, procesi pezullohet dhe palët duhet t’u drejtohen organeve kompetente.
Kryetarja e komisionit Klea Lalo:
Te Ligji 20/2025 për Paketën e Maleve kemi dispozita, që thonë se në momentin që është bërë një shpallje, për t’u pajisur si posedues jopronar nga bashkia përkatëse, në momentin, që vjen një pretendim tjetër, ti do ta pezullosh procedurën.
Më pas po patjetër, me vendimin tonë ata do të shkojnë te organet kompetente.
/Emisioni STOP











