Finlanda do të pajisë ushtrinë me 160 automjete të reja luftarake të këmbësorisë të tipit CV90, në një kontratë me vlerë 2,8 miliardë euro me kompaninë suedeze “BAE Systems Hägglunds”.
Lajmi u bë i ditur nga Ministria finlandeze e Mbrojtjes. Ministri Antti Häkkänen e cilësoi blerjen si një nga hapat më të rëndësishëm në procesin e modernizimit të forcave të armatosura.
“Ky është hapi më i rëndësishëm në procesin e modernizimit të ushtrisë finlandeze dhe ne kemi negociuar këtë blerje si pjesë e një koalicioni”, deklaroi ai.
Blerja është pjesë e një marrëveshjeje të përbashkët me Lituaninë, Holandën, Norvegjinë dhe Suedinë, të cilat së bashku do të sigurojnë gjithsej 430 automjete të këtij modeli.
Sipas ministrit Häkkänen, përdorimi i të njëjtit lloj pajisjesh nga disa vende do të rrisë ndërveprueshmërinë mes forcave të armatosura, do të përmirësojë sigurinë e furnizimit dhe do të ulë kostot.
“Kjo do të forcojë ndjeshëm aftësitë e forcave të armatosura në Veriun e Lartë të NATO-s dhe do të gjenerojë kursime kostosh duke përmirësuar sigurinë e furnizimit, pasi më shumë vende do të përdorin të njëjtin lloj pajisjesh”, u shpreh ministri.
Finlanda ndan një kufi prej rreth 1,340 kilometrash me Rusinë dhe është anëtare e NATO-s që prej vitit 2023. Modernizimi i ushtrisë dhe forcimi i kapaciteteve mbrojtëse janë pjesë e përpjekjeve të vendit për të rritur sigurinë në krahun verior të aleancës.
#Finlandë #NATO #Rusi #Mbrojtja #BAESystems

