Përplasja mes Edi Ramës dhe Elisa Spiropalit ka ndezur debatin mes analistëve Andi Bushati dhe Dritan Hila. Bushati akuzoi pushtetin se përdor institucionet shtetërore kundër ish-bashkëpunëtorëve që kthehen në kundërshtarë politikë. “Deri tani e kanë përdorur makinerinë kundër kundërshtarit politik, tani makineria diktatoriale po ha edhe bijtë e saj”, deklaroi Bushati. Ndërkohë, Hila vuri në pikëpyetje kronologjinë e ngjarjeve, duke ngritur dyshime nëse kritikat e Spiropalit ndaj Ramës erdhën përpara apo pas kontrolleve tatimore. Debati vijoi me përplasje mbi origjinën politike të Ramës dhe raportet e tij me Sorosin.
Rakipi: E kishe menduar ndonjëherë Spiropalin në këto pozita?
Bushati: Nga njëra anë, po të shohësh sherrin e Elisës me Ramën, sherrin e Lalit me Ramën, të vjen për të qeshur, nuk ka asgjë serioze në këtë mes. Problemi që del jashtë kufijve të Rilindjes është si reagon pushteti i Ramës ndaj puthadorëve të djeshëm, që janë armiqtë e sotëm. Puna është se kur përdoret shteti kundër armiqve të partisë, aty ka problem. Nëse Elisën papritur e bëjnë subjekt për SPAK, i çojnë tatimorët, sapo kritikon udhëheqësin e trajtojnë si të korruptuar, ky është problem.
Hila: Duhet bërë dhe rendi: sa kritikon udhëheqësin i turren, apo sa iu turrën për korrupsionin, ajo kritikon udhëheqësin? Sepse nëse të kap lapsi te tatimet dhe ti bën parimoren…
Bushati: Po të shohim kronologjinë, është se Spiropali nuk pranoi të votojë pro.
Hila: Kam përshtypjen se ka filluar më përpara.
Bushati: Tatimet i shkuan kur ajo kreu një akt që nuk u pëlqye nga partia. Megjithatë, ato që po lexojmë me akuzat e farefisit të Elisës fillojnë nga viti 2018.
Lala: Nga viti 2014.
Bushati: Pra, kjo bandë në pushtet i paska të arkivuara çfarë ka bërë para 10 vjetësh. Kjo është ajo që duhet t’u interesojë qytetarëve, jo sherri banal. Deri tani e kanë përdorur makinerinë kundër kundërshtarit politik, tani makineria diktatoriale po ha edhe bijtë e saj.
Hila: Sikur s’më duket se Veliaj dhe Spiropali janë bijtë e partisë, i janë atashuar partisë.
Bushati: As Rama s’është bir i asaj partie. Kur hyri në PS?
Hila: Veliaj është diçka më ndryshe, është produkt i MJAFT. Rama nuk është produkt i OJF-së.
Bushati: Rama është produkt i PD-së.
Hila: Rama, Berisha, Nano janë njerëz të bërë vetë. Rama nuk është produkt i OJF-së, ai ka bërë aleanca me ta kur i janë dashur.
Bushati: Rama është produkt i pastër i Sorosit.
Hila: E ke gabim. E ka pasur aleat, por nuk është produkt. Sot Sorosi i është sulur Ramës.
Bushati: Siç ka thënë kryetari: “E mora nga Lana me thonjë pa prerë”.
Hila: Rama erdhi në PS kur brenda saj kishte njerëz të korruptuar. Ramës i është dashur PS-ja, Veliaj dhe Spiropali nuk i janë dashur.
