Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Gogu: Kemi konsultuar SPAK-un, gjyqtarët dhe prokurorët, javën e ardhshme radha e medias dhe shoqërisë civile

26/11/2026 21:14

Procesi i konsultimit për projektligjin e Kodit të ri të Procedurës Penale do të vijojë edhe javën e ardhshme, kur Ministria e Drejtësisë pritet të zhvillojë takimin e fundit me përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile, përpara shqyrtimit të komenteve dhe propozimeve të mbledhura.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri të ditur se, pavarësisht përfundimit të afatit zyrtar të konsultimit publik më 28 tetor, puna për hartimin e dokumentit përfundimtar nuk ka përfunduar ende.

“Në 30 shtator e nxorëm projektligjin për konsultim publik. Në 28 tetor e mbyllëm afatin zyrtar, por konsultimi vazhdon dhe puna nuk ka mbaruar ende”, deklaroi Gogu.

Ministri tha se gjatë këtij procesi janë marrë mendime nga gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues të SPAK-ut, avokatë, ekspertë dhe qytetarë. Projektligji është hartuar edhe me kontributin e ekspertëve të Këshillit të Evropës, ndërsa dokumenti i është përcjellë Komisionit Evropian.

Gogu pranoi se projektligji ka marrë edhe kritika, të cilat po adresohen në kuadër të procesit të konsultimit.

“Dhe pikërisht për këtë shërben konsultimi, jo për të thënë se i kemi dëgjuar të gjithë”, u shpreh ministri.

Përpara se Kodi i ri i Procedurës Penale të marrë formën përfundimtare, Gogu evidentoi tre hapa që mbeten për t’u realizuar: konsultimin e fundit me median dhe shoqërinë civile, shqyrtimin e propozimeve të paraqitura dhe publikimin e raportit përkatës, si dhe kalimin e projektligjit në qeveri e më pas në Kuvend.

“Çdo propozim që do të shqyrtohet do të ketë një kontribut që do të marrë përgjigje dhe raporti do të bëhet publik”, deklaroi ministri, duke shtuar se në përfundim të këtij procesi vendimmarrja i takon qeverisë dhe Kuvendit.

Gogu theksoi se Kodi i ri duhet të garantojë një ekuilibër mes mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve dhe kompetencave të institucioneve për hetimin e krimit.

“Një Kod i Procedurës Penale duhet të bëjë dy punë njëkohësisht, nga njëra anë të mbrojë të drejtat e qytetarit dhe nga ana tjetër t’u japë institucioneve mjetet ligjore për të hetuar krimin. Asnjëra më e fortë se tjetra”, përfundoi ministri.

 

Top Channel