Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka bërë të ditur se Kroacia nuk do të lejojë mbylljen e Kapitullit 31 per politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes në negociatat e Malit të Zi me Bashkimin Evropian pa u zgjidhur paraprakisht çështja e kufirit dhe demarkacionit tokësor mes dy vendeve. Kryeministri kroat hodhi poshtë propozimin e presidentit malazez, Jakov Millatoviq, për dërgimin e kontestit në arbitrazh ose në Gjykatën Ndërkombëtare. Në tetor të këtij viti, Kroacia u dërgoi shteteve anëtare të BE-së një dokument zyrtar me tetë kushte që Podgorica duhet t'i përmbushë para anëtarësimit në bllok, të cilat lidhen kryesisht me pasojat e luftërave të viteve '90 dhe trashëgiminë e ish-Jugosllavisë. Kapitulli 31 përfshin politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Kroacia e bllokoi atë në vitin 2024, menjëherë pasi Kuvendi i Malit të Zi miratoi rezolutën për Jasenovacin, gjë që shkaktoi tensione mes Podgoricës dhe Zagrebit.