Shkarkimi i Spiropalit/ Klosi përplaset me Lalën: Elisa u dëgjua në Asamble, tha të gjitha argumentet e saj
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka komentuar debatet brenda mazhorancës pas përjashtimit të Elisa Spiropalit nga grupi i PS.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, Klosi u pyet edhe për kritikat e Spiropalit ndaj drejtuesve të PS-së, si dhe për mënyrën se si u mor vendimi për shkarkimin e saj.
Përballë pyetjes së gazetares Klodiana Lala mbi respektimin e statutit dhe mungesën e një votimi të drejtpërdrejtë në Asamble, Klosi tha se Spiropali ishte dëgjuar dhe kishte shprehur të gjitha argumentet e saj.
Pjesë nga intervista:
Klosi: Edi Rama ka 30 vjet që jep kontribut për PS-në. Dhe tani të thuash Rama është apo s’është socialist, këtë mund ta bëni ju, por mos më përfshini mua. Edhe Elisa, edhe Veliaj janë kontribues të Partisë Socialiste.
Rakipi: Spiropali ju ka përmendur disa herë dhe tha se ju vjen keq për gjërat që jeni të detyruar të thoni në televizione. Po juve ju vjen keq për Spiropalin?
Klosi: Është pjesë e raporteve tona të brendshme, s’kam koment. Është kolege, është pjesë e Partisë Socialiste. Ne e kemi të shkruar në statutin e partisë. Kryetari konfirmohet në zgjedhje.
Lala: Modeli i Elisa Spiropalit është një model i shëmtuar. Ka mbajtur poste të rëndësishme pa pasur kontribut në PS. S’është përballur në një votim të drejtpërdrejtë. Është një model i shëmtuar që e ka servirur PS-ja. Por, në një pikë, unë jam kundër mënyrës si u sollët. A duhej dëgjuar Elisa Spiropali kur iu konfirmua shkarkimi? Keni kryer shkelje të statutit duke mos e dëgjuar Elisën?
Klosi: Elisa ka shumë vite kontribut në PS. I ka kaluar shumë faza të jetës politike. Në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së, kur u mor vendimi, u dëgjua gjatë, shprehu të gjithë argumentet e saj. Tha të gjitha opinionet e saj. Sa i përket grupit parlamentar, ishte një ratifikim i qëndrimit të Asamblesë. Ne morëm atë vendim në mbledhjen e PS-së.
Lala: Në Asamble ju nuk votuat. A kishte votim në Asamble? Sa vota pro, sa kundër? Çfarë ratifikuat ju?
Klosi: U mbyll procesi, kundër, pro. Unë mbylla Asamblenë me pyetjen: A ka njeri kundër qëndrimit?
/vizionplus.tv




