Analisti Andi Bushati ka komentuar përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe Elisa Spiropalit, duke u ndalur te mënyra se si pushteti reagon ndaj figurave që dikur kanë qenë pjesë e tij, por që sot shfaqin qëndrime kundërshtuese.
Bushati u shpreh se përplasjet mes Ramës dhe ish-bashkëpunëtorëve të tij, përfshirë Spiropalin dhe Erion Veliajn, mund të duken si konflikte të brendshme politike, por problemi bëhet më serioz kur në lojë përfshihen institucionet shtetërore.
Sipas tij, shqetësimi kryesor është përdorimi i mekanizmave të shtetit kundër personave që kthehen në kundërshtarë të kryeministrit.
“Nga një anë, po të shohësh sherrin e Elisës me Ramën, Lalit me Ramën, të bën të bëhesh cinik dhe të vjen për të qeshur, nuk ka asgjë serioze. Problemi që del jashtë kufijve të bandës së Rilindjes, është si reagon pushteti i Ramës, ndaj puthadorëve të djeshëm që quhen si armiqtë e sotëm. Sa kohë janë hipokritë dhe të pavërtetë, punë e madhe. Por kur përdoret shteti kundër armiqve të partisë aty ka problem. Nëse Elisës papritur e bëjnë subjekt për SPAK, i çojnë tatimorët, nxjerrin drejtorin e tatimeve ti bjerë, i bëjnë kontrolle familjare, sa kritikon udhëheqësi i turren, ky problem i intereson shoqërisë. E kanë përodrur makinerinë e shtetit për të goditur kundërshtarët, tani makineria diktatoriale po ha bijtë e saj”,- shprehet Bushati.












